Më 28 nëntor 1998, shtatë vjet pas vendosjes së pluralizmit, Shqipëria i dha formë juridike Republikës së mbështetur në parimet e mëdha e të gjalla të demokracisë liberale: qeverisje bazuar në votën e lirë, degë të pavarura të qeverisjes, përgjegjësi e llogaridhënie para qytetarëve. Falenderoj deputetët e Kuvendit, të cilët më 21 tetor 1998 miratuan në këtë sallë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ia dorëzuan këtë dokument popullit shqiptar për votim referendar.

Mirënjohjen e tij për komisionin e hartimit të Kushtetutës, Kuvendin, Qeverinë, institucionet dhe ekspertët që punuan për hartimin e Kushtetutës, populli shqiptar e shprehu me mbështetjen e fuqishme në referendumin e 22 nëntorit të vitit 1998: Votuan pro Kushtetutës 93,5% e tyre. Sot është dita ta rikonfirmojmë këtë mirënjohje sepse populli është i vetmi burim legjitim i pushtetit dhe kartat kushtetuese dalin prej tij.

Një çerek shekulli pas miratimit të Kushtetutës është një momentum për të vlerësuar se si “Ne, populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë”, vendosëm në ligjin themelor të shtetit vlerat thelbësore të një shoqërie demokratike të hapur. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si kontrata sociale që lidh qytetarët me qeverisjet e tyre, e cila mbështetet në bazat teorike të konstitucionalizmit modern, u hartua dhe po shërben për garantimin e të drejtave njerëzore thelbësore: të drejtën për jetë, liri, besim, pronë etj.

Miratimi i Kushtetutës ishte një rikonfirmim i vendosmërisë së Shqipërisë për të ecur pa kthim në rrugën e ndryshimeve rrënjësore politike, ligjore, ekonomike e shoqërore, drejt ndërtimit të sistemit demokratik. Hartimi i Kushtetutës për vendet e përfshira nëvalët e demokratizimit dhe kalimin nga regjimi totalitar në sistemin demokratik shënoi një dallim thelbësor: Ligjet dhe qeverisjet e mëparshme mbështeteshin në mohimin e këtyre të drejtave, ndërkohë që kushtetutat e reja, Kushtetuta e Republikës sonë gjithashtu, niset nga parimi i garantimit të tyre. Demokracia është vërtet një sistem i mbretërimit të lirisë, por ajo presupozon zbatimin e ligjeve, jo karshillëkun dhe as shkallmimin e tyre, për hir të qëllimeve që nuk lidhen as me interesin publik, as me interesin kombëtar.

Fakti është se ne kemi një Kushtetutë shumë të mirë. Ky dokument themelor i shtetit po plotësohet me një kuadër ligjor modern, në përputhje me vizionin, frymën dhe parimet e Kushtetutës. Por as plotësimi i kuadrit ligjor, as zbatimi i tij, nuk ka qenë një proces i lehtë. Këtu janë mpleksur vështirësi të natyrshme të natyrës gnoseologjike dhe kulturore, me pengesa të natyrës politike, struktura të pakontrolluara të ambicjeve, demagogjinë, pasionet, impulset joracionale, interesat financiare dhe qëllimet korruptive.

Kuvendi ka qenë dhe mbetet i vendosur deri në fund për mbrojtjen e Kushtetutës, mbështetur në parimin universal të Magna Carta se demokracia mund të realizohet si demokraci nën ligj. Demokracia liberale është para së gjithash demokraci kushtetuese. Kushtetuta është garanti i saj. Kuvendi nuk duhet të lejojë dhe nuk do të lejojë që të zgjedhurit të imponojnë vullnetin e tyre përmbi vullnetin e popullit dhe të zgjedhësve.

Prova e vërtetë e një Kushtetute të mirë është të krijojë një shtet të mirë dhe prova e vërtetë e një shteti të mirë është të krijojë një qeverisje të mirë. Si ligji themelor i shtetit, Kushtetuta është një dokument i gjallë, i hapur për ndryshime e përsosje. Ndër ndryshimet kushtetuese, dëshiroj të sjell në vëmendje ato për mbështetjen e reformës në sistemin e drejtësisë. Para një dekade, ne u ndeshëm me vështirësitë që buronin nga një sistem korruptiv drejtësie, i cili jo vetëm nuk bënte drejtësi, por ishte shndërruar në një gjyle të rëndë që pengonte seriozisht zhvillimin dhe progresin e vendit. Ndërsa degët e tjera të qeverisjes, legjislative dhe ekzekutive, po reformoheshin dhe po rrisnin përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien para Kushtetutës dhe qytetarëve, dega gjyqësore zvarritej pas tyre. Kontributi i saj për zhvillimin e sistemit politik e shoqëror ishte minimalist, shpesh herë i venitur dhe shpesh herë edhe kundërvenës.

Ndërsa ndaj shoqërisë ky sistem po akumulonte një detyrim e borxh të madh e të dukshëm,brenda tij lulëzonin interesa korruptivë dhe pasurimi i paligjshëm, të cilat toleroheshin në shkëmbim të shërbimit ndaj qeverisjeve të korruptuara. As që bëhej fjalë për një sistem drejtësie tëpavarur. Po aq sa ishte bërë një instrument nëduar të qeverisjes, sistemi i drejtësisë ishte bërë edhe një instrument korruptimi e pasurimi. Për më tepër, ai sistem po i zinte frymën shoqërisë dhe pengonte seriozisht energjitë, përkushtimin, të drejtat, aftësitë dhe talentin e qytetarëve, sipërmarrësve, vajzave e djemve të Shqipërisë për t’u vetëzhvilluar dhe kontribuar për shoqërinë demokratike dhe mirëqenien e tyre. Sistemi i drejtësisë kishte dhënë mjaftueshëm prova se nuk ishte i aftë të vetëreformohej dhe t’i përgjigjej dinamikave të reja të zhvillimit tëvendit. Reformimi i tij mund të bëhej vetëm nga jashtë sistemit, me mbështetjen e pjesës më me integritet të tij.

Kjo rezultoi e vetmja rrugë për të çliruar shoqërinë, zhvillimin, interesin publik dhe qytetarët nga një sistem drejtësie i padrejtë e i korruptuar.

Këto rrethana e nevoja çuan në rishikimin e Kushtetutës dhe ideimin e zbatimin e reformës në drejtësi. Në 22 korrik 2016, Kuvendi miratoi unanimisht ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë reformës në drejtësi dhe gjatë kësaj dekade ka mbështetur e po mbështet fuqimisht realizimin e Reformës në Drejtësi. Është e qartë që reforma nuk pretendon të drejtën hyjnore, por dhënien e drejtësisë të kushtëzuar vetëm nga qytetarët, Kushtetuta dhe interesi kombëtar e publik. Sot nuk ka asnjë dyshim se miti i të paprekshmëve po thyhet dhe kultura e paprekshmërisë po zëvëndësohet nga parimi i madh dhe i thjeshtë: Askush përmbi ligjin, askush nën ligjin.

Konsensusi i madh popullor, qytetar e publik për sistemin e ri të drejtësisë është një frymëzim për Kuvendin dhe një mbështetje e madhe për Kushtetutën. Dëshiroj të falenderoj partnerët tanë, veçanërisht ShBA dhe BE, për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese për mundësimin e reformës nësistemin e drejtësisë dhe zbatimin me vendosmëri e konseguencë të saj. Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen ndaj Komisionit të Venecias për mbështetjen me opinionet për aspekte të ndryshme të zbatimit të Kushtetutës si edhe të reformave për konsolidimin e institucioneve demokratike në Shqipëri. Së fundi, dëshiroj të ritheksoj se 25 vitet që kaluan nga miratimi me referendum i Kushtetutës kanë qenë një ushtrim demokracie, kontributesh, përpjekjesh e vështirësish për ndërtimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike, avancimin e reformave, zhvillimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies dhe respektimin e lirive e të drejtave të qytetarëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb