TIRANE- Në një ceremoni të veçantë është përkujtuar sot 25-vjetori i krijimit të gazetës Rilindja Demokratike, organ i Partisë Demokratike. Në ceremoni kanë qenë të ftuar figura të hershme të RD-së, gazetarë e politikanë.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për gazetën e parë të lirë shqiptare që sipas tij shënoi edhe ditën e shtypit të lirë.

“Prania jonë në 5 janar lidhet me RD-në. Gazeta e parë e lirë, që shënoi edhe ditën e shtypit të lirë në Shqipëri. Ne jemi këtu për të nderuar një moment të jashtëzakonshëm në historinë e këtyre viteve që lidhet me 2 momente të tjera. Duke iu referuar nderimit, më lejoni të shpreh respektin tim për të gjithë ata që kontribuuan në rilindjen e fjalës së lirë, RD dhe që kontribuuan për ta mbajtur edhe në ditët e sotme. RD i hapi rrugë lirisë së shprehjes, lirisë së fjalës. Emocioni i asaj dite kur doli gazeta është i njëjtë me dhënien e biletave falas për kampionatin evropian. Në këtë 25-vjetor të gazetës së guximtarëve të parë, kam kënaqësinë të pohoj diçka që qëndron me gjithë kritikat e artikuluar këtu sot që janë të pakrahasueshme me ato që jeni mësuar të dëgjoni në oborrin qeveritar. RD mbetet një nga virtytet më të çmuara të gazetarisë shqiptare”, tha Basha.

Sipas tij, ‘Viti 2015 një vit i mbrapshtë për median e lirë dhe lirinë e medias, viti kur qeveria u investua për mbylljen e një TV si Agon Channel, kur kërkoi kriminalizimin e shpifjes, kur kërcënoi me gjoba mediat, kur kërcënoi gazetarin Artan Hoxha. Viti kur reporterëve të opozitës, iu desh të përballen me djegie të makinës siç ishte rasti në Burrel, një vit me bilanc të thellë negativ’. “Prodhim i një njeriu që e quan kënetë mediatike, por që paguan miliona dollarë për zyrë propagande. Ne kemi një qeveri të korruptuar, të inkriminuar dhe të mbrapshtë, por kemi një komunitet gazetarësh të ndershëm e kurajozë, që nuk tremben, nuk blihen e as nuk joshen. Ndonëse qeveria vazhdon të investojë që ta vërë në gjumë shtypin e lirë, ta komandojë e ta asgjësojë dhe për të ngritur në sistem krimin e lidhur me qeverinë, për të rritur korrupsionin dhe për të shitur shqiptarëve sapunin për djathë. Kjo qeveri e ka të vërtetën kundër saj e për rrjedhim e konsideron edhe shtypin armik. PD dhe unë personalisht e çmojmë lart këtë kontribut, e inkurajojmë këtë shembull, e mbështesim këtë kulturë evropiane të shtypit të lirë. Këtë kontribut e çmojnë edhe qytetarët shqiptarë. Media e lirë dhe opozita janë në një varkë, varkën e denoncimit dhe të shpalosjes së të vërtetës. Këtë radhë varka është më e fortë se vitin e kaluar. Kush mund t’i pranojë dhe t’i gëlltisë tenderët korruptim, ne jo, opozita jo dhe as media. Kush mund të pranojë që persona të inkriminuar që i nxorëm nga dera, Rama t’i kthejë nga dritarja”, deklaroi Basha.

Ndërsa ish-kryeministri Berisha tha se liria e fjalës është jeta e lirisë, ndërsa nuk ngurojë të theksojë se sot liria e fjalës është në rrezik nga Edi Rama.

“Festa e të gjitha festave është dita e sotme. Sepse në radhën e lirive, liria e fjalës është jeta e lirisë. Partitë dhe bindjet politike, fjala e lirë është dinjiteti, thelbi i shoqërisë në tërësi. Është e vështirë të jesh kryeredaktor i një gazete partiake, por sot pas 25 vitesh me trishtim dua të theksoj se përsëri fjala e lirë, mediat janë në një situatë kritike. ka një përbindësh që përdor të gjithë fuqinë e ekzekutivit për të manipuluar, mposhtur për të heshtur mediat dhe fjalën e lirë. Ka një përbindësh që ka krijuar tregun më të zi të të gjitha tregjeve, tregun e fjalës së lirë. Ky përbindësh është Edi Rama”,- tha ai.

Më tej deputeti Berisha shtoi se, “ Ju ftoj të mos e besoni këtë që thashë, por të shikoni reagimet e egra dhe çnjerëzore të fitores së tij. Me ju e ka të thjeshtë se juve nuk iu pranon pyetje, atij i lëviz mimika si të sëmurëve në spitalet psikiatrike. Vendosi të bëjë ligjin për t’ju dënuar ju, kur e pa se do të ngrinte komunitetin ndërkombëtar kundër tha se e kam me ata të tjerat. Po a ka shpifës më të madh se ai? Po ndalem para këtij momenti kritik, fjala e lirë është në një situatë kritike. Ku s’ka fjalë të lirë nuk ka shpresë.. Të marrë faturën që meriton ta arkivojnë në koshin e plehrave të historisë”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: