Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.

Në urimin e tij, kreu i shtetit u përcolli përshëndetjet më të përzemërta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan, duke e cilësuar miqësinë mes dy vendeve si të qëndrueshme dhe të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

Begaj theksoi se Shqipëria vlerëson thellësisht partneritetin strategjik me SHBA-në, i cili mbështetet në parimet e lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit.

Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë ndër vite, duke nisur nga njohja e shtetit shqiptar e deri te mbështetja për reformat kryesore të ndërmarra gjatë 35 viteve të fundit.

“Në 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i shpreh urimet e mia më të ngrohta Presidentit Donald Trump dhe popullit amerikan. Shqipëria e vlerëson thellësisht miqësinë e saj të qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, të ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, paqes dhe prosperitetit. Shqipëria është mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, që nga njohja e Shqipërisë si shtet deri te mbështetja e reformave kyçe të vendit gjatë 35 viteve të fundit. Gëzuar 4 Korrikun, SHBA”, shkruan Begaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb