Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, në një prononcim për mediat ka deklaruar se arsyeja se përse nuk është pranuar kërkesa për mocion me debat nga demokratët, është sepse PS nuk njeh PD si parti përfaqësuese të protestës.
“Nuk e njohim partinë e PD si parti përfaqësuese të protestës. Kushdo qofshin organizatorët, meqë kanë pasdite radhën e tyre për të folur në përgjigjen edhe nëse partia e PD ka mandat apo jo. Sapo nga protestuesit të mbërrijë në kuvend një kërkesë me shkrim do t’u përgjigjem. PD kërkonte në emër të protestuesve, 1, 2, 3, 4 gjëra, kështu ishte ndërtuar kërkesa për mocion me debat”, tha ai.
Mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat mbi protestën e qytetarëve dhe kërkesat e tyre si dhe për raportin e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se mazhoranca po i shmanget debatit parlamentar mbi raportin e fundit të Parlamenti Europian për Shqipërinë.
Sipas Bardhit, raporti përmban kritika ndaj qeverisë për korrupsionin, ligjet klienteliste, mbrojtjen politike të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe lirinë e medias.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kundërshtoi kërkesat e paraqitura nga opozita, duke argumentuar se ato nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë.
Balla deklaroi se kërkesa e depozituar nuk mbështetet në nenin 98, ndërsa sugjeroi që opozita mund të përdorë nenin 101 për një mocion mosbesimi, por duke propozuar njëkohësisht edhe një kryeministër të ri. Duke iu referuar protestës së opozitës, Balla akuzoi deputetët opozitarë se po deformojnë kërkesat e protestuesve dhe po flasin në emër të tyre pa pasur legjitimitet. Ai shtoi se opozita nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e protestuesve, duke vënë në dyshim edhe organizimin e protestës.
