Tre gola të pësuar në dy ndeshjet e para të Superiores janë një sinjal shqetësues për Egnatian, që synon të konfirmohet si një nga skuadrat më të forta të kampionatit.
Ky fillim jo i mirë i sezonit ka rritur presionin mbi lojtarët dhe stafin teknik, të cilët duhet të analizojnë çdo detaj të lojës për të shmangur përsëritjen e gabimeve.Analizat e stafit teknik tregojnë se problemi kryesor qëndron në fazën mbrojtëse. Pikërisht aty duhet të nisë ringritja e rrogozhinasve, pasi stabiliteti pas është themeli i çdo strategjie fituese. Në dy ndeshjet e para kundërshtarët kanë gjetur hapësira të shumta në zonën e Egnatias, duke e vënë shpesh portierin nën presion dhe duke krijuar situata të rrezikshme. Mungesa e organizimit dhe mbështetjes nga mesfusha në tranzicion e ka bërë skuadrën të duket e fragmentuar.
PROBLEMI I DËMTIMEVE Sfida ndaj Elbasanit e tregoi më së miri këtë dobësi. Mungesa e dy titullarëve, Xhemajlit dhe Sotas, ndikoi ndjeshëm në ekuilibrin e mesfushës dhe mbrojtjes, duke e ekspozuar ekipin. Tetova u përpoq të mbushte boshllëqet me zgjidhje alternative, por mungesa e dy lojtarëve kryesorë e bëri situatën të vështirë. Lajmi i mirë është se të dy po rikuperohen dhe mund të jenë gati për përballjen me Bylisin, edhe pse mbetet për t’u parë nëse do të jenë në 100% të formës. Rikthimi i tyre pritet të sjellë më shumë stabilitet dhe të ndihmojë në përmirësimin e mbrojtjes.
RINGRITJA Në Rrogozhinë pritshmëritë janë të qarta: stopimi i golave dhe nisja e një serie pozitive rezultatesh. Përballja me Bylisin shihet si mundësi kyçe për të rikthyer besimin e tifozëve dhe për të rifilluar rrugëtimin drejt qëndrueshmërisë. Statistikat e sezonit të kaluar japin optimizëm: në katër ndeshjet direkte ndaj Bylisit, Egnatia arriti plot 12 pikë. Kjo e bën sfidën e radhës edhe më të rëndësishme, pasi një fitore do të dërgonte mesazhin e qartë se Egnatia është gati të rikthehet fuqishëm dhe të tregojë se mund të përballojë sfidat e Superiores me seriozitet.
