Korça ka kremtuar 28 Nëntorin me ceremonitë tradicionale në nderim të Ditës së Pavarësisë. Pas homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule nga përfaqësues të institucioneve vendore, festimet janë zhvendosur në Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, ku është zhvilluar Dhoksologjia e Flamurit.
Në këtë shërbesë tradicionale, Hirësi Anastas përcolli një mesazh që ndërthurte mirënjohjen për të kaluarën me përgjegjësinë për të ardhmen. Ai kujtoi se liria e Shqipërisë është fryt i sakrificave të panumërta të atyre që luftuan për atdheun, gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Sipas tij, 28 Nëntori nuk është vetëm një ditë feste dhe krenarie, por edhe një ditë përgjegjësie për mënyrën se si brezi i sotëm do ta ruajë dhe do t’ua përcjellë këtë trashëgimi brezave të ardhshëm.
Një vëmendje të veçantë në mesazhin e tij, Hirësi Anastas i kushtoi të rinjve, duke shprehur dëshirën që ata të kenë arsye për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri, me arsim dinjitoz dhe mundësi për një jetë më të mirë.
Ndërsa për shqiptarët në emigracion, apeli ishte që të mos shkëputen nga rrënjët, të mos harrojnë vendin e të parëve dhe t’ua mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe.
“Ta gëzojmë lirinë edhe atdheun tonë”, ishte urimi me të cilin Hirësi Anastas përmbylli mesazhin e tij në këtë ditë të shënuar kombëtare.
