Kreu i PD, Sali Berisha, theksoi se për 28 qendrat e emigrantëve në vend, nuk ka pasur asnjë transparencë me qytetarët shqiptarë.

Ai tha se këto qendra mundësojnë dorëzimin e emigrantëve në ‘kthetrat e mafias’.

“Ne do të paraqesim në parlament, elementët bazë të platformës tonë për ripopullimin e vendit. Nëqoftëse nuk bëhen hapat e parë të mbështetur financiarisht ne po ecim drejt një humnere kombëtare.

Dhe nëse fillohet këtë vit, do të duhen 30 gjer në 50 vite për të arritur atje ku ishim në vitin 2013. Por një projekt shfarosës, shpërbërës kërkon me çdo kusht që ata të ikin nga Shqipëria.

Tani flet për 28 qendra të reja pritje. Unë nuk dua të komentoj, sepse nuk është bërë asnjë transparencë për këto, por ajo që dua të them; shndërrimi i Shqipërisë në autostradë emigrantësh është një barbari mbi emigracionin në radhë të parë.

Është dorëzim i atyre qenieve në kthetrat e mafias më të pashpirt në Europë. Minimumi mafie e cila drejton dhe sundon policinë, në drejtësi dhe sundon kudo dhe nuk ka asnjë qëllim tjetër përveç se të përfitojë prej qenieve mjerane.

Së dyti, nëse me këtë Edi Rama dhe është shumë e mundshme, synon të zëvendësoje shqiptarët që ikin, të denatyrojë kombin shqiptar në një mënyrë të paimagjinueshme, edhe kjo është një rrezik ekzistencial për Shqipërinë në çdo rast.

Ndaj dhe ne duhet të mbrojmë një politikë e cila bazohet në nxitjen e ripopullimit të këtij vendi, nxitjen e lindshmërisë që sot është aq sa ishte 100 vite më parë sipas INSTAT-it vetë dhe sipas OKB-së është treguesi më i ulët në botë për shkak të emigracionit thotë OKB.”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb