Një 35-vjeçar, banues në Itali, është arrestuar në Sarandë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar me furgon 21 shtetas nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, përmes kufirit tokësor me Greqinë.
Arrestimi u krye gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tranzit 2”, të organizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
Sipas hetimeve paraprake, destinacioni përfundimtar i emigrantëve dyshohet se ishte Italia, ndërsa për transportimin e tyre paguhej shuma prej 2 800 eurosh për person.
Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Ndërkohë, furgoni që përdorej për transportin e tyre u sekuestrua si provë materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Detajet/ Kush është 35-vjeçari i arrestuar në Sarandë, justifikimi me arkat e mandarinave
35-vjeçari i arrestuar në kuadër të operacionit “Tranzit 2” në Sarandë është identifikuar si Anatoli Zelenkaj, i lindur në Ukrainë dhe banues në Venecia të Italisë.
Sipas burimeve, Zelenkaj kishte hyrë në Shqipëri përmes aeroportit të Rinasit. Gjatë shoqërimit dhe veprimeve të policisë, ai dyshohet se është justifikuar duke thënë se kishte shkuar në afërsi të fshatit Shkallë për të marrë dy arka me mandarina, pasi i kishin thënë se ishin të mira.
Ndërkohë, 35-vjeçari u kap duke udhëtuar me një furgon tip “Ki***”, me targa AC 883 AF, në të cilin ndodheshin 21 shtetas me origjinë irakene.
Sipas burimeve, emigrantët kishin paguar nga 2 800 euro secili për transportimin e tyre. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale.
35-vjeçari u arrestua në kuadër të operacionit policor “Tranzit 2”, ndërsa furgoni u sekuestrua nga policia.
