Kosova shënon sot 29-vjetorin e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe ceremonish në nderim të luftës çlirimtare dhe figurave që kontribuuan në historinë e vendit.
Në kuadër të kësaj dite, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të zhvillojë homazhe në Prekaz, në orën 09:00. Në të njëjtën orë, platforma qytetare “Liria ka Emër” do të mbajë një konferencë për media pranë monumentit “Newborn” në Prishtinë.
Homazhe në Prekaz do të zhvillojë edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila do të jetë e pranishme nga ora 10:00 deri në 10:30.
Aktivitete përkujtimore do të zhvillohen edhe në Gjilan, ku Kuvendi Komunal do të mbajë një seancë solemne në objektin e Shkollës së Mesme të Arteve Plastike dhe Muzikës “Adem Kastrati”, në orën 10:00.
Ndërkohë, në Mitrovicë do të zhvillohen disa ceremoni në nderim të intelektualit Adem Ademi. Aktivitetet nisin në orën 10:00 me homazhe në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, ku në orën 12:00 do të mbahet edhe mbledhja komemorative. Ceremonia e rivarrimit është parashikuar të zhvillohet në orën 14:00, në varrezat e Shipolit.
Në Prizren, në orën 11:00, do të bëhet përurimi i shtatores dhe sheshit që do të mbajnë emrin e Shën Nënë Terezës, pranë Katedrales historike “Zonja Ndihmëtare”.
Në mbrëmje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë në Pritjen Shtetërore të organizuar në Tiranë me rastin e 114-vjetorit të Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Aktiviteti do të zhvillohet nga ora 19:00 deri në 19:30.
Përvjetori i daljes publike të UÇK-së shënohet çdo vit me homazhe dhe aktivitete në nderim të luftës çlirimtare, ndërsa Prekazi mbetet një nga vendet kryesore të kujtesës historike për shqiptarët e Kosovës.
