Dinamo ka arritur të rikthehet te fitoret dhe dy rezultatet e fundit pozitive radhazi, kanë rikthyer besimin te skuadra blu. Fitorja në kampionat ndaj Vorës, e ka mbajtur Dinamon në vendin e katërt, të paktën deri në përballjen direkte që do të kenë dy skuadrat mbrëmjen e së hënës.

Daja kishte jo pak vështirësi me Dinamon me nisjen e vitit të ri kalendarik dhe në 7 ndeshjet e para të kampionatit nuk arriti të merrte asnjë fitore. Kjo situatë e kaluar, e bëri Dinamon që të humbiste shumë terren në klasifikim dhe pa të gjitha skuadrat që po merrnin pikë. Përveç faktit se Vllaznia u shkëput në krye me 12 pikë, Dinamo pa edhe Partizanin që ishte shumë larg, t’i afrohej e madje ta barazonte me pikë duke ndarë vendin e katërt megjithëse e mban për shkak të ndeshjeve direkte dhe golaverazhit mes skuadrave. Megjithatë, Daja ka punuar intensivisht dhe ka arritur të kthejë Dinamon sërish në skuadrën që shënon shumë pasi në 6 takimet e fundit, blutë kanë realizuar 8 gola. Në 4 sfidat e para të Superiores, Dinamo nuk e gjente rrugën e rrjetës asnjëherë. Për ta bërë këtë, Dajës i është dashur të ndryshojë edhe vendosjen e skuadrës në fushë.

RRESHTIMI- Ilir Daja është nga ata trajnerë që formacion të preferuar ka vendosjen 4-2-3-1. Me katër mbrojtës dhe 2 mesfushorë para mbrojtjes, skuadra e Dajës është hermetike dhe nuk pëson shumë gola. Nga ana tjetër, sulmi është produktiv duke qenë se sulmuesi qendror, ndihmohet jo pak nga dy “uingerat” si edhe mesfushori “10”-sh, që shtyn jo pak në zonën e kundërshtarit. Duke parë kontingjentin e skuadrës, Daja është detyruar që të bëjë ndryshime dhe ka kaluar në formacionin 3-4-2-1 por edhe në 3-4-1-2 ashtu siç u paraqit në sfidën e fundit. Ndaj Tiranës në derbi, Daja kishte preferuar tre qendërmbrojtësit, Teikseirën, Ditën dhe Naser Alijin të cilët sërish arritën të mbajnë të paprekur portën e Teqjes.

Dy lojtarët e krahut që ishin të detyruar të bënin “pistonin”, ishin Faton Neziri në të majtë dhe Tiago Nani në të djathtë. Mbrojtësi nga Kosova, ishte protagonist absolut duke shënuar një gol mjaft të bukur me një aksion individual, tipik i një lojtari krahu pasi mori topin në gjysmëfushën e tij dhe avancoi deri në zonën e Tiranës, pa e penguar askush për të realizuar golin e avantazhit për skuadrën e tij. Para mbrojtjes, në sfidën ndaj bardhebluve ishin Vila dhe Qefalija, ndërkohë që më i avancuar luajti Malomo, në mbështetje të dy sulmuesve. Guindo dhe Berisha, provuan të luanin së bashku si qendërsulmues, me lojtarët që u kthyen në protagonistë. Berisha bëri një nga ndeshjet më të mira me fanellën e Dinamos dhe asistoi në golin e shënuar nga Guindo, duke i dhënë mundësinë që të shënonte me portën thuaje të boshatisur. Mesa duket, Dinamo ia mundëson trajnerit Daja që të provojë këtë sistem të ri loje edhe për ndeshjet në vijim, duke nisur që nga derbi me Partizanin.4

DEKLARATA E DAJËS- Pas ndeshjes ndaj Tiranës, ishtrajneri i bluve Dritan Mehmeti e pyeti Dajën për arsyet e ndyshimit të skemës. Daja u shpreh se ishte një zgjedhje e tij edhe për të shfrytëzuar sa më shumë qendrën e mbrojtjes, por njëkohësisht edhe se kontingjenti që ka në dispozicion, përshtatet më mirë me vendosjen e re. “Ajo që na bën të shkojmë me 3, është se i kemi 3 qendrorë me goxha eksperiencë dhe të mira, si Dita, Andre dhe Aliji. Na jep mundësinë, që ne të ndryshojmë edhe brenda lojës sistemin. Ndonjëherë lexohet edhe kundërshtari, nuk është se kishim informacion më të plotë për Tiranën. Dihet se Shehi është ndeshja e dytë që drejton ekipin. Do na duhej që të merrnim informacion nëpërmjet lojës direkte. Një informacion që kishim marrë ishte vetëm ndeshja në Shkodër, por ndeshja në kampionat ndryshon me të Kupës. Është tjetër specifikë”, tha mes të tjerash trajneri Daja. Në sfidën e radhës në kampionat kundër Partizanit, trajneri Daja me shumë gjasa do të luajë sërish me skemën me 3 mbrojtës, por këtë radhë pritet që të jetë një 3-4-3. Rikthimi i Dejvi Bregut “detyron” dajën që të gjejë hapësirën për të në të djathtë të sulmit dhe me shumë gjasa Berisha do të jetë nga e majta për të ndihmuar Guindon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb