Në prag të javës së 31- të të kampionatit, Vllaznia përgatitet për një përballje të rëndësishme ndaj Teutës, në një sfidë që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në objektivat e skuadrës shkodrane.
Trajneri Martini duket i vendosur të hedhë në fushë formacionin më konkurrues të mundshëm, pavarësisht disa pikëpyetjeve që lidhen kryesisht me gjendjen fizike të disa lojtarëve kyç. Duke nisur nga porta, nuk priten surpriza, me Pohls që konfirmohet si një pikë e fortë dhe garanci për repartin difensiv. Para tij, mbrojtja pritet të rreshtohet me Gurishtën, Gjinin dhe Pusin, një treshe që ka treguar stabilitet në ndeshjet e fundit dhe që do të ketë një rol vendimtar në ndaljen e sulmit durrsak.
Mesfusha mbetet reparti me më shumë dilema për teknikun. Krymi është në dyshim për shkak të gjendjes fizike, dhe në rast se ai nuk ia del të jetë në formën optimale, pritet që vendin e tij ta marrë Sala. Ndërkohë, Kallaku dhe Qato do të kompletojnë repartin, duke ofruar ekuilibër mes fazës mbrojtëse dhe asaj sulmuese. Në krahë, Martini pritet t’i besojë shpejtësisë dhe fantazisë së Jagos në të majtë, ndërsa në të djathtë Mala shihet si zgjedhja më e mundshme. Të dy lojtarët do të kenë detyrën të furnizojnë repartin ofensiv, por edhe të ndihmojnë në fazën mbrojtëse ndaj kundërsulmeve të shpejta të Teutës.
Në sulm, dilemat nuk mungojnë, sidomos pas formës së mirë që kanë treguar së fundmi Bismark dhe Dodaj. Megjithatë, gjithçka tregon se nga minuta e parë ndaj durrsakëve do ta nisin Balaj dhe Dodaj, me synimin për të shfrytëzuar eksperiencën dhe instinktin e tyre për gol. Në një ndeshje ku çdo detaj mund të bëjë diferencën, Vllaznia synon të marrë maksimumin, ndërsa zgjedhjet e Martinit pritet të jenë vendimtare për fatin e këtij takimi të rëndësishëm.

