3 gola për “thyer” murin e San Marinos, 6 pikë të plota në 2 ndeshje. Shqipëria e Maran është thjesht perfekte në shifra në këtë fillim sezoni në Nations League. Nuk është koha për të folur për një ekip brilant, fundja përballë kishim një rival më shumë se modest, por e rëndësishme është që kuqezinjtë nuk e vendosën fitoren për në asnjë moment në dyshim.
Sigurisht, tifozët, mbase edhe vetë trajneri Maran, prisnin diçka më shumë, por kuqezinjtë u treguan të kujdesshëm duke mos stonuar në asnjë moment, edhe pse kishte 6 ndryshime në raport me ndeshjen e fundit, atë kundër Bjellorusisë, plus edhe debutues. Lajm shumë pozitiv ishte goli i Anis Mehmetit, i shumë pritur për të pasur efekt edhe në ekipin përfaqësues. Gjithashtu rrugën e rrjetës gjeti Myrto Uzuni, me “bomberin” e Austin që rikthehet te goli në Kombëtare. Nuk mungoi në apel as Rey Manaj, ku në fraksionin e dytë mbajti në krah shiritin e kapitenit dhe tundi rrjetën.
Pas golit të tretë në minutën e 65-të, Maran nisi edhe valsin e zëvendësimeve duke hedhur në fushë lojtarë si C.Shpendi, Qefalija apo Luis Hasa. Për fat të keq, zëvendësimet e kryera nuk kishin efekt, me rezultatin që mbeti i pandryshuar 0-3.
Në shifra gjithmonë, kjo ishte një ndeshje shumë pozitive për kuqezinjtë pasi kishin 72% kontrollin e topit, krijuan 5 raste të pastra për gol, goditën 8 herë kuadratin, por pesha e rivalit nuk të lejon të shkosh përtej shifrave, fundja Finlanda pak ditë më parë, por në këtë fushë shënoi plot 7 gola.

“Kryesues, Shqipëria “fluturon” në Ligën C. Kuqezinjtë fitojnë 3-0 ndaj San Marinos me golat e Mehmetit, Uzunit dhe Manajt’, shkruan gazeta më e madhe sportive në vend, Panorama Sport, në faqen e parë.
