Në programin “Gëzuar me ju” këtë të diel të ftuar në program ishin “3 Musketjerët”, Aleksandër Gjoka, Elton Deda dhe Redon Makashi, të cilët mes miqve, kolegëve dhe të afërmve të tyre ndanë kujtime nga rrugëtimi i tyre artistik. Ata u kthyen pas në kohë që në fillimet e karrierës së tyre, duke mos lënë pa përmendur vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar. Dashuria e madhe që kanë patur dhe kanë për muzikën, ka bërë që t’iu rezistojnë viteve dhe të vijnë pranë publikut gjithmonë me projekte të mira dhe shumë të dashura nga të gjithë.

Disa prej këngëve, artistët i interpretuan në “Gëzuar me ju”, duke përfshirë, “Qyteti i vjetër”, “Ndjej”, “Dashurisë së shkuar”, “Jemi emri i vetë jetës”, “Ëndërr dhe dashuri”, “Përse më bëre të të urrej”, “Ditë dimri”. Pas çdo interpretimi, ata ndanë kujtime nga realizimi i tyre dhe momente që ata kanë kaluar në atë periudhë jete.

“3 Musketjerët” performuan edhe një kolazh, të cilin gjithë të ftuarit jo vetëm e shijuan por edhe kërcyen në studio, duke krijuar një atmosferë shumë të bukur. Të gjithë të ftuarit sollën kujtimet e tyre me “’3 Musketjerët’, duke filluar nga kompozitori Gent Myftaraj, ⁠Geni, mik dhe baterist i grupit ARB, Sokol Marsi, bashkëpunëtor i kahershëm, gazetarja Anila Basha, fanse e muzikës së tyre, Rudi Deda, motra e Elton Dedës dhe këngëtarët Gjergj Kaçinari dhe Renis Gjoka.

Të pranishëm në studio ishin edhe disa nga nxënësit e universitetit “Luarasi” dhe një prej tyre pyeti se përse artistët u shprehën në studio se brezi i tanishëm është shumë larg atyre të disa viteve më parë. “Juve ju mungojnë ëndrrat”, u shprehën artistët, teksa theksuan se nuk është faji i tyre, por i sistemit. Ndryshe nga dikur që me rënien e murit të Berlinit të rinjtë ishin të mbushur me ëndrra, tashmë gjenerata është duke shkuar drejt inteligjencës artificiale dhe merret më shumë me gjëra boshe.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: