Deputeti i PD, Enno Bozdo, ka reaguar për situatën e sigurisë në vend, nisur nga 3 ngjarjet e rënda të ndodhur ditën e sotme, ku u shënuan 3 viktima nga krimi, në qytetet Durrës, Tiranë dhe Berat.
Në një postim në facebook, Bozdo e quan jo rastësi, serinë e ngjarjeve tragjike, por një pasqyrë të një shteti që ka rënë dhe e një pushteti që ka humbur kontrollin mbi jetën e përditshme të qytetarëve.
“Shqipëria është tronditur nga tre vrasje brenda pak orësh, njëra prej tyre në qytetin e Beratit.
Kjo nuk është më një seri rastësish tragjike është pasqyrë e një shteti që ka rënë, e një pushteti që ka humbur kontrollin mbi jetën e përditshme të qytetarëve.
Qeveria aktuale është e paaftë të parandalojë krimin, e paaftë të garantojë rendin publik dhe e paaftë të mbrojë qytetarin.
Në çdo cep të vendit, dhuna, pasiguria dhe frika janë bërë përditshmëri!
Shqiptarët nuk mund të jetojnë më në një vend ku jeta e tyre varet nga rastësia”, shkruan Bozdo.
