TIRANË

Ndonëse pati denoncime publike për presione e mbushje kutish më 30 qershor, asnjë subjekt politik nuk ka bërë kallëzim penal në prokurori.

Kështu deklaron Prokuroria e Përgjithshme në raportin e saj për procesin zgjedhor.

Në fakt janë disa procedime të nisura kryesisht pas denoncimeve nga policia por jo nga partitë dhe as ‘kryesisht’ nga vetë organi i akuzës.

DEKLARATA

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka regjistruar materialin kallëzues nr. 1131, datë 01.07.2019, aktet e të cilit bëjnë fjalë për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasve Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha.

Në materialin e referuar nga policia gjyqësore e Komisariatit të Policisë Fier, pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 02.07.2019 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 1594 të vitit 2019 për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” parashikuar nga neni 327/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit O.O.  Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik datë 01.07.2019.

Prokuroria e Përgjithshme informon se, përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb