Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e cilëson masakrën e Srebrenicës e cila shënon sot 30 vjet nga gjenocidi serb mbi popullsinë boshnjake, si një nga ngjarjet më të errëta të historisë së Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një postim në rrjetin social facebook, Bushati theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe dënoi qëndrimin e dyzuar të Serbisë në raport me këtë krim. Ai kritikoi presidentin serb Aleksandar Vučić për përdorimin e Srebrenicës në funksion të interesave të momentit.
“Vučić, në 2015, në rolin e europianistit të devotshëm, vizitoi Srebrenicën dhe dënoi masakrën. Më vonë, me largimin e perspektivës së anëtarësimit në BE, u rikthye në retorikën nacionaliste dhe udhëhoqi përpjekjet për të bllokuar rezolutën e OKB-së që e njeh Srebrenicën si gjenocid,” shkruan Bushati.
Më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë të sponsorizuar nga Gjermania dhe Ruanda, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta u mbështet nga Shqipëria, ndërsa përpjekjet e Serbisë për ta penguar dështuan.
Bushati theksoi se për shqiptarët, që kanë përjetuar krime të ngjashme nga regjimi serb, kujtimi dhe drejtësia për Srebrenicën janë çështje me rëndësi historike.
Ai gjithashtu u ndal në domosdoshmërinë që Shqipëria të mbajë një qëndrim të drejtë dhe të balancuar edhe përballë vuajtjeve të popullatave të pafajshme në Ukrainë dhe Gaza.
“Si një komb me histori të dhimbshme, duhet të ndërtojmë një balancë të drejtë mes vuajtjeve, aleancave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare,” u shpreh Bushati.
