Përveç periudhës së rrezikut nga zjarret gjatë verës, efektivët e zjarrfikësve përballen çdo ditë edhe me vështirësi serioze në qarkullimin rrugor brenda qytetit.
Parkimet e gabuara, bllokimi i rrugëve nga objekte të paligjshme, hekura dhe elementë të tjerë pengues hasen shpesh në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës, duke rrezikuar ndjeshëm ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse.
Drejtori i Zjarrfikësve të Shkodrës, Agim Ponari, në një prononcim për mediat, ka treguar për vështirësitë e përditshme me të cilat përballen efektivët në raste emergjencash.
Bashkia Shkodër ka ngritur një grup pune për evidentimin e të gjitha pikave problematike në pesë rajonet e qytetit, ku janë përllogaritur mbi 35 pika kritike që pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve në rast zjarri. Sipas drejtorit Ponari, është e domosdoshme që këto pika të përfshihen në aksionin e lirimit të hapësirave publike, bazuar në planin e përbashkët të miratuar nga Bashkia dhe PMNZSH.
Pamjet tregojnë qartë pengesat që krijohen nga zënia e hapësirave publike – situata që në rast urgjence mund të rezultojnë fatale, si për ndërhyrjen ndaj flakëve të zjarrit, ashtu edhe për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Fatmirësisht, deri më tani nuk janë regjistruar raste me pasoja fatale, por për zjarrfikësit, kjo është një nga ndërhyrjet më të nevojshme për zgjidhjen e një problematike që prej më shumë se 30 vitesh vazhdon të mbetet e pazgjidhur në Shkodër.
