Në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka kujtuar vitet e para kur forcës së parë politike pas rënies së sistemit komunist iu bashkua dhe Edi Rama, atëherë pedagog në Akademinë e Arteve.

“Është një histori 35 vite më parë, që më së miri tregon se çfarë parti e jashtëzakonshme jemi.

Do e ndaj me ju, për t’ju kujtuar vlerat dhe idealet që e kanë bërë PD-në forcën më të suksesshme historike që ka udhëhequr dhe forcën më të palëkundur opozitare që ka parë ndonjëherë edhe Evropa.

Shumë të rinj na bashkoheshin në atë kohë, mes tyre edhe një djalë 27 vjeçar i Universitetit të Arteve, e askush nuk do mendonte se ky djalë do kthehej në fatkeqësinë e kombit shqiptarë në shekuj. Ky djalë ishte Edvin Rama, ai nuk rezistoi dot as disa orë te PD.

Kjo është forca e PD-së, demokratët kanë instikt të pagabueshëm për ta njohur të mirin dhe të keqin”, tha Berisha gjatë fjalës së tij për ditën e përvjetorit të PD-së”, tha Berisha.

Më tej, ai kujtoi emra të njerëzve që kanë kontribuar në PD, që nga Azem Hajdari, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Bujar Nishani, Sokol Olldashi, Gerti Bogdani.

“Ne jemi forca e parë politike në Evropën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin në NATO.

Ne jemi partia që rikthyem besimet fetare të shqiptarëve”, tha Berisha.

Pjesë nga fjala e Berishës

Të dashur qytetarë dhe qytetare të pranishëm sonte në këtë takim, por dhe kudo që ndodheni.
Të nderuar demokratë dhe demokrate të pranishëm këtu, në Shqipëri dhe jashtë vendi.
Të nderuar drejtues, deputetë, qeveritarë vendorë, këshilltarë të Partisë Demokratike.
Të dashur kryetarë, drejtues të forcave politike aleate të Partisë Demokratike.
Të dashur drejtues të forumeve të Partisë Demokratike, forumit të gruas dhe forumit të rinisë. Përshëndetje dhe urimet më të përzemërta në 35 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, partisë më të jashtëzakonshme.
Nderimin më të madh për guximin, kontributin, lumenjtë e sakrificave të qindra e mijëra demokratëve dhe demokrateve dhe mbështetësve tanë në këto 35 vite.
Nderim dhe mirënjohje të pakufijshme për veprën e pavdekshme të tribunit të lirisë, themeluesit dhe prijësit të parë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë!
Nderim të veçantë dhe të madh për veprën dhe kontributin e themeluesit të shquar të Partisë Demokratike, intelektualit të mirënjohur, të pavdekshmit Gramoz Pashko.
Ne përkulemi me nderim të thellë para kontributit dhe veprës së pavdekshme të themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike, Mandelës së Evropës, ish-kryetarit të parlamentit, Pjetër Arbnori.
Qëndrestarit të pamposhtur dhe intelektualit të madh, drejtuesit kryesor të Partisë Demokratike dhe grupit të mazhorancës së saj në parlament, Ali Spahia.
Personalitetit të shquar të Partisë Demokratike, burrit të shtetit që i dha aq shumë nder shtetit dhe presidencës, Bujar Nishani.
Ministrit brilant të Partisë Demokratike dhe drejtuesit të rinisë së saj, Sokol Olldashi. Udhëheqësit të talentuar të rinisë, Partisë Demokratike, Genti Bogdani.
Dhe dhjetëra e dhjetëra drejtuesve, deputetëve, qeveritarëve qëndrorë dhe vendorë të kësaj partie që nuk janë më. Kujtimi, vepra, trashëgimia e tyre është dhe do mbetet krenaria e jona dhe e demokratëve në çdo kohë.

Ne jemi nga ato më të paktat parti të këtij planeti që kanë ndarë epoka dhe kanë bërë histori qysh në ditën e parë të themelimit tonë.
Për shembull, ne jemi, ne jemi një parti e cila në ditën e parë të ekzistencës sonë i dhamë Shqipërisë dhuratën më të çmuar të shekullit, pas pavarësisë së vendit, pluralizmit politik. Me fjalë të tjera i dhamë lirinë.
Ne jemi partia që u themeluam si parti në vendin e lirive dhe të drejtave të njeriut të ndaluara me kushtetutë.
Si forca politike e vokacionit perëndimor të kombit shqiptar dhe njëherazi, forca e parë politike në Europën ish-komuniste, që kërkoi qysh në themelimin e saj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Ne jemi partia e interesit kombëtar, të shqiptarëve, që shpallëm në themelimin tonë çështjen kombëtare si yllin tonë polar.
Kurrë shqiptarët, kurrë Shqipëria s’ka patur një avokate më të pamposhtur të interesave të saj dhe shqiptarët një mbrojtëse të lirive të tyre sa Partinë Demokratike dhe si Partinë Demokratike.
Ne jemi partia që në shtetin e parë ateist të botës, rikthyem besimet fetare të shqiptarëve. Ne jemi partia e cila pas më pak se një vit themelimi arritëm të shembim diktaturën e fundit komuniste, por dhe më teke të Europës.
Ne jemi një parti e cila i dha Shqipërisë ëndrrën më të bukur të rilindasve tanë, që i dha forcën shqiptarëve të kapërcenin 45 vite shtypje.
Kjo ëndërr u artikulua nga studentët liberatorë: E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Shqipëria në Europë.
Kjo ishte epoka që hapëm me themelimin e Partisë Demokratike dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb