Një vjedhje automjeti luksoz në New Jersey përfundoi në tragjedi, pasi katër të rinj morën një Mercedes-Benz G-Wagon me vlerë rreth 220 mijë dollarë dhe u përfshinë në një ndjekje me policinë. Përplasja fatale i mori jetën dy personave që udhëtonin në një automjet tjetër. Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes, pranë kryqëzimit të Route 50 me Third Avenue, në Mays Landing. G-Wagon-i u përplas ballë për ballë me një Hyundai, duke vrarë pasagjerët Robert Barr Jr., 54 vjeç, dhe Alice Stillwell, 67 vjeçe.

Sipas autoriteteve, Mercedes-Benz G-Wagon i vitit 2024 ishte vjedhur gjatë orëve të para të mëngjesit. Policia e kishte lokalizuar automjetin rreth orës 03:40 në Longport dhe një oficer tentoi ta ndalonte, por drejtuesi u largua me shpejtësi. Rreth orës 07:45, policia e gjeti sërish automjetin në Hamilton Township dhe nisi ndjekjen. Oficerët e humbën nga sytë G-Wagon-in vetëm pak minuta para përplasjes.

Nga goditja e fuqishme, Hyundai u përplas me shpejtësi drejt një pike karburanti. Dy pasagjerët, Barr dhe Stillwell, nuk mundën t’u mbijetonin plagëve. Pas aksidentit, katër të rinjtë dolën nga automjeti dhe tentuan të largoheshin nga vendi i ngjarjes, por u arrestuan pak më vonë.

Mes të arrestuarve është 18-vjeçari Nayshaun Brown, ndërsa tre të tjerët janë të mitur dhe identitetet e tyre nuk janë bërë publike. Të katër përballen me akuza që lidhen me komplotin për kryerjen e një vepre penale, përdorimin e paligjshëm të automjetit dhe arratisjen nga policia. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se cili prej të rinjve ishte në drejtimin e G-Wagon-it në momentin e përplasjes. Hetimi vijon për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit fatal.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb