Numri i rasteve të reja me probleme shëndetësore në Gostivar është në rënie, deklaroi ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Klekovski, gjatë vizitës në Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive në Leshok.

Sipas tij, aktualisht janë raportuar rreth 80 raste të reja, shifër kjo rreth dy herë më e ulët krahasuar me ditët e mëparshme.

“Numri i përgjithshëm i të prekurve është rreth 4 mijë. Deri tani janë regjistruar 750 raste të sëmundjeve ngjitëse, ndërsa janë kryer intervista epidemiologjike me 490 persona. Epidemia po hyn në fazën e qetësimit dhe tani nis analiza e plotë epidemiologjike për të përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve dhe për të ndarë rastet e lidhura me epideminë nga gastroenteritet e zakonshme”, tha Klekovski.

Ministri bëri të ditur se uji nga ujësjellësi i qytetit të Gostivarit ende nuk është i sigurt për përdorim, madje as për qëllime teknike.

“Po monitorohet niveli i klorit në ujë, por ende nuk është arritur niveli i kërkuar. Analizat po kryhen rregullisht në disa pika matëse dhe vetëm pasi klorimi të jetë në standardet e nevojshme do të lejohet përdorimi i ujit si ujë teknik”, u shpreh ai.

Sa i përket Spitalit Special në Leshok, Klekovski sqaroi se institucioni prej vitesh nuk përdor ujin e ujësjellësit lokal për konsum, por furnizohet me ujë të pijshëm përmes dispenserëve.

Ndërkohë, në Gostivar vijon hetimi penal për ndotjen e ujit. Autoritetet dyshojnë se në sistemin kryesor të ujësjellësit është vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që ka futur ujë nga lumi Vardar në rrjet, me qëllim rritjen e presionit.

Gjykata Penale në Gostivar ka vendosur 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarit për ndotjen e sistemit të ujësjellësit. Sipas gjykatës, të dyshuarit përballen me akuza që parashikojnë dënim minimal prej katër vitesh burg, ndërsa ekziston rreziku i arratisjes ose ndikimit mbi dëshmitarët nëse do të liheshin të lirë.

Kontrollet e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, policisë dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Mjedisit kanë zbuluar se në tubacionin kryesor ishte vendosur një pompë pa autorizim, e cila merrte ujë drejtpërdrejt nga lumi Vardar. Pas ankesave të qytetarëve dhe dyshimeve për ndotje, përdorimi i ujit për pije u ndalua.

Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në Gostivar për menaxhimin e situatës, ndërsa autoritetet po vijojnë monitorimin e ujit dhe gjendjes shëndetësore të banorëve.

Më herët kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se rezultatet më të fundit të analizave të ujit në Gostivar janë të mira dhe shprehu pritjen që, më së voni deri nesër, institucionet kompetente të njoftojnë se uji është teknikisht i sigurt për përdorim, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se Prokuroria tashmë ka identifikuar përgjegjësinë për ndotjen e sistemit të furnizimit me ujë, por hetimet do të vazhdojnë nëse lind nevoja për të përcaktuar përgjegjësi shtesë.

“Përgjegjësia e plotë për atë që ka ndodhur, për momentin, është identifikuar. Më tej do të vazhdohet me përcaktimin e përgjegjësive të tjera nëse është e nevojshme. Ne menjëherë siguruam ujë të pijshëm. Falënderoj të gjithë ata që u bashkuan me donacione dhe në këtë mënyrë e bënë jetën e qytetarëve të Gostivarit më të sigurt”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb