Prej 40 ditësh, qytetarët e Divjakës vijojnë protestën kundër projektit të reformës administrative-territoriale të njohur si “Mazniku”, duke kundërshtuar përfshirjen e Divjakës në Bashkinë e Lushnjës. Pavarësisht presioneve që, sipas protestuesve, janë ushtruar për të ndalur qëndresën, qytetarët e Divjakës kanë vijuar protestën dhe marshimet në rrugët e qytetit.
Sipas tyre, që prej nisjes së protestës, përfaqësues të pushtetit vendor dhe më pas edhe përfaqësues të të deleguarve politikë janë përpjekur t’i bindin qytetarët të mos marrin pjesë në tubime.
Protestuesit shprehen se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre dhe kërkojnë që institucionet të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
“Nuk është koha kur nuk ka shtet që të japin besë, por ka institucione që duhet të përgjigjen para qytetarëve për këtë tradhti ndaj Divjakës”, shprehen protestuesit.
Në përfundim të protestës, qytetarët zhvilluan edhe një marshim në rrugët e qytetit, duke brohoritur slogane në mbrojtje të statusit të Divjakës si bashki. “Divjaka bashki!” dhe “Divjaka e qytetarëve, jo e pushtetarëve!” ishin disa prej sloganeve të protestuesve, të cilët kundërshtojnë bashkimin administrativ me Lushnjën.
