Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet në lidhje me vrasjen e biznesmenit italian Eduardo Sarchi, ngjarje e ndodhur pas mesnatës së 26 shtatorit në Qafën e Dilanit.

Gazetarja Brikena Metaj raporton se ka qenë një konflikt i nisur për shkak të dritave të gjata që sipas autorit, italiani i kishte lënë ndezur teksa kalonte në një rrugë dytësore, dhe që ai pretendon se e kanë verbuar.

Më pas autori i identifikuar si Kamber Sulçaj ndoqi dhe u zuri pritë në vendin e njohur si Qafa e Dilanit dy automjeteve ku udhëtonin, viktima, ortaku Eqerem Braçi dhe dy djemtë e tij, që po lëviznin me 2 makina njëri pas tjetrit.

Më pas ai ka qëlluar automjetet dhe pasagjerët kanë dalë nga automjetet dhe janë hedhur në kanal. 44-vjeçari italian ka qenë i vetmi që nuk ka arritur të hidhet, duke mbetur për 40 minuta i bllokuar nën breshërinë e plumbave, pasi çdo lëvizje e tij bënte që autori të qëllonte.

Pamjet nga kamerat e sigurisë ndihmuan policinë të gjurmonte lëvizjet e autorit të dyshuar. Gjatë kontrolleve në një zonë të thellë malore mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë, u gjetën të fshehura një automjet dhe rrobat që dyshohet se janë përdorur gjatë krimit. Pranë tyre, në shkurre, u zbulua edhe një çantë me mjete të dyshimta, përfshirë dylbi me rreze infra, dylbi termike, mbajtëse arme dhe një elektrik dore.

Kontrollet në banesën e Sulçajt dhe të familjarëve të tij në Mesaplik dhe Vlorë zbuluan mbi 2.5 milion lekë në lekë dhe euro, tre armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara Cannabis dhe dy kasaforta të mbyllura.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb