Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi rritjen e çmimit të karburantit në vend. Në një dalje për mediat Berisha tha se Shqipëria është shndërruar në instrument të tiranisë ndaj qytetarëve të saj. Shkak i kësaj rritje sipas Berishës është ngarkesa fiskale dhe nafta kontrabandë.
“Jam këtu për një çështje madhore, nafta në Shqipëri është shndërruar në instrument të tiranisë ndaj shqiptarëve, në një instrument të çmimeve stratosferike, të pakësimit të racionit ushqimor në tavolinë, të largimit të tyre nga Shqipëria. Çmimi i naftës në vendin ku gjenden fushat më të mëdha në Europë naftëmbajtëse në tokë, si Patos, me 6 mld fuçi, çmimi i naftës në vendin me një seri portesh për importin, tejkalon me 60 për qind çmimin e naftës në Kosovë dhe Maqedoni. Shkaqet e këtij çmimi të lartë, para së gjithash lidhet me ngarkesën absurde të pa mëshire fiskale mbi litrin e naftës të vendosur nga NATO. Disa janë faktorët më kryesorë, por në mënyrë absolutë 2 prej tyre që përcaktojnë në masën 90 për qind janë qeveritarët.
Së pari ngarkesa fiskale. Në vendet më të zhvilluara në mesatare ngarkesa është 40-45 për qind. Ndërkohë të ardhurat mesatare në këto shtete janë 6 herë më të larta se ato të qytetarëve shqiptare. Gjobë e tmerrshme mbi shqiptarët.
Faktori i dytë madhor është kontrabanda e naftës. Asnjë litër naftë nuk hyn në Shqipëri me bote, 350 mijë ton kontrabandë hyjnë në portet që kontrollon qeveria. 350 mijë ton naftë kontrabandë janë të barabarta me 410 mln euro që shkojnë në familjen e kryekontrollorit që është Rama.
Rama preferon që ajo rezervë të mbahet duke tatuar më rëndë naftën që iu shitet qytetarëve. Këto janë 3 faktorë që ndikojnë te çmimi stratosferik i naftës. Taksat më të larta rreth 30 e ca % më të larta se sa vendet e OSCD-së apo të BE-së. Rama niset nga një mendim anakronik, nga fakti se ata që kanë veturë, kanë para të paguajnë. Por kjo është ndëshkim. Ata që kanë veturë, kanë të vetmen alternativë të vërtetë lëvizjeje, pasi transporti publik është thuajse inekzistent. Ata detyrohen që të shesin çfarë kanë që të sigurojnë mjetin e transportit. Çmimi i naftës nuk prek vetëm ata që kanë vetura, por prek çdo qytetar që merr ushqime. Një seri prodhimesh, përdorin naftën, energjinë. çmimi i naftës pasqyrohet në bujqësi, te fermerët që nuk paguajnë dot për mbarëvajtjen e punës”, tha ai.
Mes të tjerash ai tha se PD ka gati paketën me programin e saj që e vendos mbi naftën ngarkesën fiskale, si në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë.
“Ai tha se do të prekte akcizën kur çmimi të kalonte 220 litër. Ky është akt cinik. PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e veriut dhe Kosova. Ngarkesë që lejon këto dy vende që nuk nxjerrin asnjë litër naftë, që të shesin naftën 60% më lirë.”, tha ai.
