Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale mbi rritjen e papërballueshme të çmimeve të apartamenteve në Tirana, duke shpjeguar qartë se pse tregu i ndërtimit është shkëputur nga realiteti ekonomik i familjeve shqiptare dhe, mbi të gjitha, si mund të ndryshojë kjo situatë.
Sipas Tabakut, ndërtimi sot nuk bazohet në paga, pensione apo të ardhura të ligjshme, por operon në një “flluskë” të ushqyer nga pastrimi i parave. Ky model, thekson ajo, e ka bërë blerjen e një banese të pamundur për çiftet e reja, profesionistët dhe shtresën e mesme, duke e kthyer strehimin nga një e drejtë bazë në një luks të paarritshëm.
Duke u ndalur te zgjidhja, Tabaku thekson se ndryshimi është i mundur dhe nuk është as i komplikuar në teori:
ai nis me ndryshimin e modelit ekonomik dhe me vendosjen e një vullneti politik të hekurt për të luftuar pastrimin e parave dhe kanalet ilegale që derdhen në ekonomi. Kjo, sipas saj, është zgjidhja e parë dhe themelore për të çliruar tregun, për të ulur presionin artificial mbi çmimet dhe për ta rikthyer ndërtimin në funksion të qytetarëve.
Në videon e saj, Tabaku nënvizon se kur një apartament kërkon 42 vite kursime për t’u blerë, problemi nuk është qytetari apo tregu i lirë, por një sistem i deformuar që favorizon ekonominë informale dhe dëmton shumicën që jeton nga puna e ndershme.
Reagimi i saj vjen si pjesë e një qëndrimi të vazhdueshëm kritik ndaj modelit aktual të zhvillimit urban dhe ekonomik, duke kërkuar politika që vendosin në qendër familjen shqiptare, shtresën e mesme dhe të rinjtë, e jo interesat e ngushta të pakicës së privilegjuar.
