Emisioni Vetting

Agjencia e Barnave nën dyshime për ndikime dhe favorizime
Një nga institucionet më të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë është Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, e cila ka përgjegjësi për analizat, kontrollin dhe gjurmimin e barnave në tregun shqiptar.

Por auditi dhe raportet zyrtare kanë zbuluar mangësi në funksionimin e këtij institucioni. “Farmakovigjilenca duhet të ndjekë çdo bar. Një bar mund të jetë shumë cilësor te prodhuesi, por transporti, temperatura apo lagështia mund t’ia humbasin cilësinë”, shprehet eksperti Pecnikaj. Sipas dokumenteve zyrtare, në vitin 2022 janë konstatuar mangësi në sigurinë e shëndetit publik, përfshirë mungesën e programeve vjetore për analizat e barnave dhe mungesën e inspektimeve për pajisjet mjekësore në spitale dhe laboratorë. Sipas ekspertit Dasho, këto probleme kanë nevojë për analizë nga mënyra se si drejtohen sot institucionet shëndetësore. “Duke u përpjekur të centralizohen planifikimet te ministria krijohet konfuzion, ku disa medikamente mungojnë dhe disa të tjera skadojnë”, tha Dr. Erion Dasho.

Sipas auditit, Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia e Barnave nuk kanë arritur të garantojnë një sistem plotësisht të besueshëm për sigurinë e barnave. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit kritikon dobësinë e sistemit të farmakovigjilencës, pra monitorimin e efekteve anësore të barnave.

“Ky është roli i farmakovigjilencës, nga prodhuesi deri te pacienti”, thotë Pecnikaj. Një tjetër problem i evidentuar lidhet me listën e barnave të rimbursueshme. Nga qindra barna që figurojnë si alternativë e parë në listë, shumë prej tyre nuk janë importuar gjatë vitit 2023. Në disa raste, barna që figurojnë në listë nuk rezultojnë të regjistruara sipas kërkesave ligjore.

Kjo do të thotë se në letër ekzistojnë si alternativë për pacientët, por në praktikë nuk gjenden në treg. Auditimet kanë evidentuar gjithashtu mospërputhje në autorizimet për import dhe mungesë bashkëpunimi mes Agjencisë së Barnave dhe Doganave, çka rrit rrezikun që ilaçet të futen në treg pa verifikime të plota. Ndërkohë, dokumente publike tregojnë se Agjencia e Barnave ka kryer pagesa për një tender për përmirësimin e sistemit të barnave dhe pajisjeve me vlerë rreth 134 milionë lekë. Sipas të dhënave nga platforma “Spending.al”, kjo kontratë është lidhur në vitin 2022.

Në këtë rast ngrihen pikëpyetje për lidhje të mëparshme biznesi pasi Sokol Sinani, i cili ka qenë ortak me Ilir Beqaj te kompania “Intech +” deri në gusht 2013 dhe në vitin 2017 bleu aksionet e kompanisë DATA LOG (ish DATA- LOGIC), e cila më vonë rezulton aktive.

Pyetja që shtrohet është si kompani me aktivitet të ulët ose periudha pasiviteti kanë arritur të përfitojnë kontrata publike me vlera të mëdha.

“Disa nga koncesionet kanë përfunduar në SPAK dhe jo më kot kemi edhe një ish ministër të akuzuar për këto kontrata”, shprehet eksperti Dasho.

Onkologjiku demaskon koncesionet e shëndetësisë

Përballja me sëmundjen e shekullit për pacientët me sëmundje tumorale nuk lidhet vetëm me barnat dhe cilësinë e tyre, por edhe me analizat.

Një person që merr kimioterapi duhet të bëj analizat pasi nëpërmjet monitorimit vlerësohet gjendja shëndetësore dhe mënyra se si do vazhdojë trajtimi.

“Tashi na kanë dalë problem analizat, nuk na bojnë analizat, shkojë te drejtori në Durrës, nuk kena ça bojmë, shkova dy herë në Ministri, nuk kena lekë thonë,” shprehet Nazmiu për koncesionin e laboratorit të analizave. Një pacient nga Onkologjiku, që lufton për jetën përditë demaskon me fakte alarmin që kanë ngritur mjekët, laboratori i analizave nuk siguron. Nuk është hera e parë që koncesioni i laboratorit të analizave ngre shqetësimin.

Aktualisht të 4 koncesionet e shëndetësisë janë nën hetim nga SPAK, ku hetimet për sterilizimin kanë përfunduar me ish ministrin Ilir Beqaj i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Në fakt, nëse do të analizonim të gjitha problemet që ka shëndetësia shqiptare lidhen me fondet që shkojnë për kontrata koncesionare të cilat nuk ofrojnë shërbim. “Ministria bashkë me qeverinë i kanë fondet, ky (kryeministri) shkon inauguron një spital qenësh në një kohë që ne jena duke vdek në rrugë të madhe, ky është shteti jonë, që nuk pyet fare për ne”, tha Nazmi Picirri.

I revoltuar, ai shpreh ndjenjën e zhgënjimit jo vetëm për shtetin, por edhe për faktin se edhe shërbimet që shteti ka marrë përsipër t’i sigurojë, nuk i realizon siç është koncesioni i laboratorëve. “Po ne na kanë dalë problem me analizat, ne s’mundena me dal në diell. Thotë shko te mjeku i familjes shko merr një dokument atje, shko te spitali, gjë që është krejt fallco. Ata e dina që ne jena të sëmurë. Shko na bëj ato analizat! Mos na sillni rrugëve poshtë e lart”, deklaron pacienti Nazmiu.

Sipas tij, të dyja koncesionet janë me probleme, si ai laboratorëve, por edhe ai i Check- up.

“Analizat i kena shumë problem, s’ka faj drejtori këtu në Durrës, që nga Kryeministri e deri te Ministria e Shëndetësisë kanë përgjegjësi”, tregon Nazmiu, duke kërkuar mbështetje nga institucionet. Koncesioni për shërbimin laboratorik në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake në Shqipëri u fitua nga kompania “Laboratory Networks shpk”.

Kompania ka disa ortakë, mes tyre shoqëria shqiptare “Labopharma”, si dhe kompani të huaja si “AB Laboratory Solutions” nga Holanda dhe “Exalab” nga Franca. Procedura për këtë koncesion nisi në vitin 2016, ndërsa kontrata u nënshkrua në vitin 2019 me një afat 10- vjeçar. Kjo kontratë është nën hetim nga SPAK, ashtu si kontratat e tjera.

Në total, të 4 kontratat koncesionare të shëndetësisë pritet t’u kushtojnë shqiptarëve 41.95 miliardë lekë ose 420 milionë euro deri në fund të vitit 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb