Një 43-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur rëndë pas një atentati me armë zjarri në Certosa di Pavia, në Itali. Shqiptari nuk rezultonte me precedentë penalë, ndërsa ndodhet në gjendje kritike në repartin e kujdesit intensiv të spitalit San Matteo në Pavia.

Ngjarja ka ndodhur në Viale del Monumento. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 43-vjeçari ishte duke ecur së bashku me një mik, pasi kishin dalë nga një lokal dhe po shkonin drejt automjetit të tyre, të parkuar pranë Naviglios.

Në atë moment, pranë tyre është afruar një makinë me dy persona brenda. Pasagjeri ka ulur xhamin e automjetit dhe ka qëlluar me armë zjarri vetëm një herë, duke e goditur shqiptarin në gjoks me një plumb të kalibrit 7.65.

Pas të shtënës, automjeti është larguar me shpejtësi. 43-vjeçari është transportuar me urgjencë në spital, ku ka rezultuar se plumbi i kishte dëmtuar mushkërinë, duke i shkaktuar pasoja të rënda shëndetësore. Aktualisht ai ndodhet në terapi intensive, në gjendje të rëndë dhe me rrezik për jetën.

Mënyra e organizimit të sulmit, me një automjet në lëvizje dhe një të shtënë të vetme ndaj objektivit, ka ngritur dyshimet për një atentat të paramenduar dhe larje hesapesh.

Megjithatë, hetuesit kanë konstatuar se 43-vjeçari nuk rezulton të ketë lidhje me botën e krimit, ndaj po shqyrtohen edhe motive të mundshme personale. Një tjetër pistë që po hetohet është mundësia që objektiv i sulmit të ketë qenë miku që shoqëronte shqiptarin, ndërsa 43-vjeçari mund të jetë qëlluar gabimisht.

Policia nuk përjashton asnjë pistë dhe po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb