Në një vrojtim statistikor rigoroz kombëtar që drejtova javët e fundit, 45% e të anketuarve deklaruan se i kanë të ardhurat personale nga 0 deri në 25 mijë lekë të reja në muaj. Që përkthehen nga 0 deri në 7 euro në ditë! Ndër këta të anketuar, pothuaj gjysma i kishin të ardhurat personale nga 0 deri në 3.5 euro në ditë.

Meqë kampioni i vrojtimit ishte përfaqësues statistikisht i të gjithë banorëve të rritur (të punësuar, të vetëpunësuar, pensionistë, shtëpiake, të papunë, studentë etj.), përgjigjet e të anketuarve japin një panoramë të përgjithshme të nivelit të të ardhurave personale në rang kombëtar për popullsinë e rritur. Dhe sado që në vetëdeklarimin e të ardhurave personale, jo gjithmonë ka sinqeritet, tabloja e përftuar nga ky vrojtim duket shumë e zymtë.

Në kushtet e rritjes galopante të çmimeve të karburantit dhe produkteve ushqimore, shumë shqiptarë nuk do të mbijetonin vetëm me të ardhurat personale, në qoftë se nuk do të vazhdonin tu vinin dërgesat e parave nga emigracioni (në gjuhën financiare ndërkombëtare quhen remitanca, të cilat ishin pothuaj 1 miliard euro në 12 muajt e fundit, sipas Bankës së Shqipërisë ).

Por dimri i vështirë ekonomik që pritet si në vendet ku jetojnë emigrantët dërgues të remitancave, ashtu edhe në Shqipëri, do ta bëjë shumë të vështirë jetesën për 45% të banorëve të rritur me të ardhura 0 deri në 7 euro në ditë, e sidomos për ata me 0 deri në 3.5 euro në ditë.

Pa filluar mirë dimri, qeveria duhet të hartojë një paketë serioze ndihmuese për shtresat më të varfra, duke qethur ca dhjetëra miliona euro nga projektet e saj luksoze (për kushtet e varfërisë së përhapur të popullsisë). Se kur të vijë pranvera, mund të jetë vonë…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb