Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar turin e tij të takimeve me bazën e mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u ndalur këtë herë në qytetin e Lezhës, ku mbajti një fjalim kritik ndaj lidershipit të PD-së dhe mënyrës se si po trajtohen demokratët.
Salianji theksoi se shqetësimi kryesor nuk janë vetë demokratët që reagojnë, por lidershipi që nuk i dëgjon dhe nuk prodhon ide për t’i përfaqësuar ata. “E shohim si 5 fantastikët që rrinë në lidershipin e PD nuk dëgjojnë shqetësimet e demokratëve. Shqetësim janë ata që nuk dëgjojnë, jo demokrati i thjeshtë, është lidershipi që nuk dëgjon demokratët, nuk është shqetësim pse mblidhemi nga salla në sallë me shumë, por shqetësim është pse lidershipi i PD është braktisur. Shqetësim nuk janë idetë tona, por është mungesa e ideve të tyre që po braktisin demokratët,” u shpreh ai.
Ai kritikoi ashpër lidershipin e PD-së, duke e përshkruar si të larguar nga baza dhe të fokusuar te privilegjet e veta, ndërkohë që demokratët vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar dhe të vendosur për ndryshim. Salianji theksoi se forca e PD-së vjen nga vota dhe mbështetja e anëtarësisë, dhe se asnjë lider nuk mund të pengojë bashkimin e demokratëve për të sfiduar qeverinë aktuale.
“Çfarë është ky lidership që kërkon të bëhet tigër me demokratët dhe mace përballë qeverisë? Demokratët janë të fortë, rrinë në këmbë dhe nuk ka forcë që ndalon bashkimin e tyre,” përfundoi Salianji.
