Sulmuesi argjentinas i Atletico Madrid, Julian Alvarez ka qenë padyshim njeriu kopertinë i javës në La Liga. Të shënosh 5 gola brenda 7 ditësh, nuk është diçka që mund ti ndodhë çdo sulmuesi, por Alvarez edhe njëherë tjetër dëshmon se çfarë është i aftë të bëjë në momentin kur gëzon një formë optimale. 3 gola në fitoren me përmbysje të mesjavës së shkuarës ndaj Vallecanos dhe dopieta në derbin e Madridit ndaj Real në atë fitore spetakolare 5-2 të “Los Cholchoneros” treguan edhe njëherë tjetër se ai që po udhëheq ekipin e Diego Simeones është pikërish sulmuesi argjentinas.

Një performancë tepër pozitive që nuk kishte se si të mos merrte vëmendjen e klubeve më në zë të kontinentit. Sipas mediave britanike, kampionët e Liverpool po vëzhgojnë me kujdes sulmuesin e Atletico Madrid dhe flitet se kanë nisur kontaktet e para. Por madrilenët kanë bllokuar menjëherë çdo lloj komunikimi me “The Reds”, duke vendosur për Julian Alvarez një klauzolë tepër të lartë, plotë 100 mln sterlina.

Mbetet për tu parë nëse një klub si Liverpool që këtë verë shpenzoi mbi 300 mln euro në merkato, mund të kryejë një tjetër lëvizje të bujshme për të afruar një prej “bomberave” më të mirë në qarkullim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb