VLORE- Përkujtohet 5-vjetori i vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Plot pesë vite pas ekzekutimit mafioz të Konomit në “zemër” të Vlorës, ende nuk ka një të dyshuar si autor i krimit makabër. Familja e tij dhe të afërm përkujtojnë sot të dashurin e tyre që u nda nga jeta, duke vendosur qirinj e tufa me lule në vendin ku Konomi u ekzekutua me një shpërthim të telekomanduar në automjetin e tij, në qendër të Vlorës në vitin 2011.
Ndërkohë, trupa gjykatëse u ndal vendin ku u vra gjyqtari, ndërsa të gjithë japin mesazhe për drejtësinë; zbardhjen e së vërtetës. Gjykatësit shpresojnë se me krijimin Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-ut dhe me ardhjen e specialisteve të FBI-së ngjarja të zbardhet dhe kriminelet do marrin dënimin e merituar. Kryetari i gjykatës së Vlorës, Skender Haluci pohoi se ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik është ende nën hetim.
“Konomi ishte një nga magjistratët më të talentuar të sistemit tonë gjyqësor. Kjo memorie është dhe për t’i kërkuar organeve ligjzbatuese të lëvizin për zbardhjen e kësaj ngjarje mizore”, tha Haluci.
Nga ana tjetër Haluci theksoi se kjo çështje nuk është hetuar siç duhet, ndërsa sipas tij trupa gjyqësore është gati të zbatojë me përpikëri ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë”. Ai shtoi më tej se autorët duhet të marrin dënimin e merituar. “Shpresoj se me ndryshimet kushtetuese dhe me krijimin e Byrosë se Hetimit do të zbardhet dhe kjo çështje”, tha Haluci.
(ed.me/BalkanWeb)
