Deputeti demokrat Edi Paloka ka komentuar mbrojtjen që kryeministri Edi Rama po i bën zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lidhur këtë me hetimet dhe skandalet e fundit që kanë përfshirë qeverinë.

Sipas Palokës, qeveria po përballet me një sërë skandalesh, nga çështjet e AKSH-it deri te vendimi i ri për dënimin në çështjen “Becchetti”, që sipas tij do t’i kushtojë shqiptarëve 110 milionë euro. I ftuar në Kjo javë në News24, Paloka akuzoi Ramën se po shmang përgjegjësinë duke mbrojtur Ballukun, pasi “e ndjen se shumë shpejt mund të jetë ai që do të shkojë në SPAK”.

“Këto janë qindra milionë euro që do t’i paguajnë qytetarët shqiptarë. Rama po e mbron Ballukun, por duket se mendon se po i vjen radha vetë. Populli duhet të reagojë; janë 50 milionë euro që i kanë futur në xhep,” deklaroi Paloka.

Ai shtoi se shqiptarët po paguajnë çdo ditë faturën e korrupsionit qeveritar.

“Shqiptarët nuk duhet të ngrihen për karriget tona, por për veten dhe fëmijët që po vidhen. Milionat që zhduken nga tenderat i paguajnë qytetarët, edhe ata që protestojnë, edhe ata që duartrokasin Ramën,” u shpreh deputeti demokrat.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: