Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 5”. Në pranga ka rënë një 29-vjeçar. Sipas policisë 29 vjeçari u kap duke transportuar me automjet 3 emigrantë (nga Sudani), të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.

Njoftimi i plotë

Vihet në pranga një 29-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës prej 500 eurosh, për të kaluar kufijtë në mënyrë të paligjshme.

29-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet 3 emigrantë (nga Sudani), të cilët synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.

Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për këtë vepër penale.

Sekuestrohen automjeti me të cilin ai transportonte emigrantët dhe telefoni i tij celular.

Shërbimet e Policisë Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për një rast të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 5”.Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

-O. Ç., 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga vendet e treta, të cilët hynin ilegalisht në Shqipëri dhe më pas synonin të kalonin në Mal të Zi, duke i transportuar me automjet kundrejt pagesës prej 500 eurosh për person.

Në momentin që iu bë shenjë për të ndaluar nga punonjësit e Policisë, ai tentoi të largohej, por pas ndjekjes për disa minuta, u bë ndalimi dhe shoqërimi i tij. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 7, Tiranë, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishte dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të kësaj gjykate, për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb