Banorë të fshatrave të Njësisë Administrative Thumanë zhvilluan një protestë në rrugën e fshatit Gramzë, duke bllokuar për rreth një orë segmentin që lidh aksin e autostradës Thumanë–Kashar. Sipas protestuesve, një pjesë rreth 500 metra e kësaj rruge është në gjendje tejet të amortizuar dhe është kthyer në problem serioz për drejtuesit e automjeteve. Ata shprehen se dëmtimet e shumta në asfalt dhe mungesa e ndërhyrjeve e kanë bërë qarkullimin të vështirë dhe të rrezikshëm.
Në shenjë pakënaqësie ndaj institucioneve përgjegjëse, banorët mbajtën të bllokuar qarkullimin, duke paralajmëruar se do të vijojnë protestat deri në rikonstruksionin e plotë të segmentit rrugor.
Në mbështetje të tyre ishte edhe aktivisti i shoqërisë civile, Aulon Kalaja, i cili kërkoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet për zgjidhjen e situatës. Banorët theksojnë se ndërhyrja në këtë aks është emergjente për sigurinë dhe lehtësimin e lëvizjes në zonë. “Ju është nxirë jeta gati 1 vit. Janë 3 mijë banor, 3 fshatra, që iu nxihet jeta çdo ditë. Duhet të durojnë baltën por dhe trafikun. Mirë që kalojnë këtu, por pse nuk e shtrojnë? Sa kanë marrë vesh që do të bëhej protestë, dhe kanë hedhur çakull. Po pse çakulli e zgjidh hallin? Jo Duhet asfalt rreth 25 cm i lartë. Infrastruktura në këtë zonë është katastrofë. Protesta është legjitime dhe ata janë në të drejtën e tyre. Jo me asfalt elektoral se sa bie shiu, shpërbëhet.”, tha Kalaja.
