Rezistenca qytetare hyn sot në ditën e 51-të të saj, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë pluraliste në këto 35 vite.
Mijëra qytetarë shqiptarë mblidhen çdo natë në bulevardin para Kryeministrisë ku mbajnë fjalime dhe më pas marshojnë rrugëve të Tiranës, duke sensibilizuar. Ndërsa kërkesa e tyre mbetet një dhe e pa ndryshueshme, largimi i qeverisë dhe dorëheqja e pa negociueshme e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit u mblodhën edhe dje, në ditën e 50-të të protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, me një pjesëmarrje masive.
Protesta nisi në orën 19:00 me grumbullimin e pjesëmarrësve në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas ata marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsëritën thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke brohoritur slogane si “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama, jep dorëheqjen”, “Parlament analfabet” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.
Gjatë marshimit u dëgjuan gjithashtu thirrje që kërkonin arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si edhe slogane të tjera politike.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit deklarojnë se protesta do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se do të vazhdojnë mobilizimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që kanë paraqitur.
