Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke iu referuar të dhënave më të fundit të EUROSTAT, sipas të cilave 55% e qytetarëve shqiptarë deklarojnë se e kanë shumë të vështirë të mbyllin muajin.
Xhixho e cilëson këtë si një pasqyrë të qartë të gjendjes së rëndë ekonomike në vend, ndërsa akuzon qeverinë se po përpiqet ta fshehë realitetin përmes propagandës.
“Nuk është statistika ajo që gënjen. As realiteti. Është propaganda e kësaj qeverie,” shkruan deputetja.
Ajo thekson se burimi i të dhënave, të cilin ministrat e qeverisë e kanë quajtur “jo të besueshëm”, është Agjencia Zyrtare e Statistikave e Bashkimit Europian – Eurostat, çka sipas saj e bën të pamundur mohim të situatës reale.
“Burimi në fjalë, ‘jo i besueshëm’ sipas Ministres, është Agjencia Zyrtare e Statistikave e Bashkimit Europian — Eurostat,” shton Xhixho.
Në reagimin e saj, deputetja sjell edhe të dhëna të tjera që dëshmojnë vështirësitë ekonomike të shqiptarëve.
“40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqim, sipas INSTAT-it. Shqiptarët kanë pagat më të ulëta në Europë, sipas Eurostat. Fuqia blerëse ka rënë, konsumi ka rënë, dhe mijëra familje nuk sigurojnë dot ushqimin bazë,” shkruan ajo.
Xhixho përfundon postimin e saj me një mesazh të qartë ndaj mazhorancës:
“Pra, nuk është statistika ajo që gënjen. As realiteti. Është propaganda!”
Reagimi i saj vjen në një moment kur debatet mbi varfërinë dhe koston e jetesës në vend janë intensifikuar, ndërsa institucionet ndërkombëtare vazhdojnë të rendisin Shqipërinë ndër vendet me standardin më të ulët të jetesës në Europë.
