Një histori e rëndë njerëzore është trajtuar këtë të premte në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ku në qendër është jeta e një 58-vjeçari që përballet prej dekadash me pasojat e një sëmundjeje të hershme.
Sipas rrëfimit të bërë në emision, gjithçka nisi kur ai ishte vetëm 5 javësh, kur një temperaturë e lartë i ndryshoi rrjedhën e jetës. Vizitat në spitalet e Krujës dhe Tiranës nuk sollën përmirësim, ndërsa pasojat e asaj periudhe e shoqëruan përgjatë gjithë jetës.
Sot, në moshën 58-vjeçare, ai jeton i paralizuar, duke u përballur çdo ditë me kufizimet fizike. Brenda banesës, familjarët kanë vendosur mbajtëse përgjatë dhomave për ta ndihmuar të lëvizë, ndërsa jashtë ai përdor një karrocë për t’u zhvendosur.
Në rrëfimin e tij për “Me Zemër të Hapur”, babai i 58-vjeçarit tregoi për vështirësitë e mëdha në përkujdesjen ndaj të birit, duke theksuar se trajtimi dhe kujdesi kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm.
Ai shtoi gjithashtu se bashkëshortja e tij del nga shtëpia vetëm një herë në muaj, kur shkon për të tërhequr pagesën prej 100 mijë lekësh, duke qëndruar pjesën tjetër të kohës pranë djalit për t’u kujdesur për të.
