Një 59-vjeçar nga fshati Progër i Devollit ka humbur jetën pasditen e së hënës pasi ishte trajtuar në një klinikë dentare.
Burime hetimore bëjnë me dije se 59-vjeçari me inicialet Sh D,kishte shkuar në klinikë së bashku me dy djemtë dhe të afërm.
Pas kryerjes së një mbushjeje dentare, ai është ankuar disa herë duke thënë “s’jam mirë”, e më pas ka humbur ndjenjat. Dyshohet se shkaku ka qenë një infarkt, ndërsa grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit për të analizuar procedurat e ndjekura gjatë trajtimit.
Burime policore bëjnë me dije se dentisti është proceduar në gjendje të lirë për neglizhencë në trajtim mjekësor.
Ndërkohë, familjarët e 59-vjeçarit, në një reagim për mediat jashtë kamerave, janë shprehur se nuk kanë pretendime për rastin, duke theksuar se vdekja ka qenë natyrale dhe ka përkuar rastësisht pas trajtimit dentar, pa ndonjë lidhje me të.
Gjatë mbrëmjes dentisti është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll për t’u marrë në pyetje lidhur me rastin, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të vdekjes.
(BalkanWeb)
