NGA: XHENSILA KODRA*
Bukurie Mata, e ëma e Bleonës, e cila dje mbushi gjashtë vite e zhdukur, tregon se vajza e saj e vetme për herë të fundit është parë në një restorant në Angli. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ajo rrëfen se personi që ka parë Bleonën është polici i sigurisë së restorantit, një emigrant shqiptar. “Për këtë fakt kam edhe foto”, thotë Bukuria. Gjithashtu, ajo rrëfen se para dy muajsh, njëra prej 5 vajzave që Bleona ishte shoqëruar ditën e ngjarjes, i ka pohuar se “vajzën ia ka shitur Qamilja”. Bleona Mata u zhduk në mënyrë misterioze pasditen e 22 majit të 2010- ës (në atë kohë 6 vjeçe), teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit së bashku me 5 vajza, të afërme të saj.
Zonja Bukurie, vajza juaj Bleona sot (dje) bën gjashtë vite që është zhdukur dhe nuk ka asnjë gjurmë të saj. Me kë keni kontaktuar për të ditur se ku kanë arritur hetimet?
Kam biseduar me drejtorin e Policisë së Kukësit, me prokurorë, ndërsa në Tiranë kam biseduar edhe me hetues te Krimet e Rënda. Çështja e Bleonës ka mbërritur deri në Parlament e në mbarë botën dhe ende nuk po gjendet vajza ime. Unë akoma nuk po e besoj dot se në çfarë vendi po jetojmë ne, pasi vajza ime vazhdon të jetë e zhdukur dhe 5 vajzat e tjera po vijojnë të jenë ende të lira, kur ato janë kriminele për zhdukjen e Bleonës.
Hetuesit më thonë jemi në kërkim, nuk e mbyllim çështjen e Bleonës. Ke biseduar me këto vajza gjatë kësaj kohe?
Kam biseduar me ish-kunatën time. Para dy muajsh kam takuar edhe Rudinën dhe i kam thënë “turp çfarë keni bërë me Bleonën”. Ajo më tha se nuk dinte se çfarë ishte bërë me Bleonën, sepse atë e kishte marrë Qamilja dhe e kishte shitur. Sipas saj, personi i fundit që e shoqëronte Bleonën është Qamilja (mbesa e ish-vjehrrit tim). Personi që e mori në qendër të fshatit është Qamilja. Ajo e di se ku është vajza ime, ndërsa shteti ka rënë në gjumë. Nesër (sot) vajza ime hyn në vitin e shtatë që është zhdukur dhe nuk kam më asnjë dritë jeshile se ku ta kërkoj.
Ju vetë deri ku e keni kërkuar në rrugë private?
Unë me forcat e mia dhe në rrugë private kam qenë deri në Amerikë. Në atë kohë ka qenë emisioni “Njerëz të Humbur”, që kishte marrë vesh se ishte birësuar një fëmijë në Amerikë. Por fëmija i birësuar nuk ishte fare shqiptar dhe nuk kishte asnjë ngjashmëri me vajzën time, sepse e pashë edhe vetë me sytë e mi. Kam qenë edhe në Greqi, në Gjermani, në Budapest, në Francë, në Kosovë, në Maqedoni dhe asnjë shenjë e saj. Gjithmonë kam menduar se mos dikush e ka marrë dhe e ka regjistruar në ndonjë shkollë dhe mund ta gjeja nëpër bankat e shkollës. Po hetues të huaj ju kanë dhënë mbështetje për gjetjen e vajzës? Po, më kanë dhënë. Një herë Bleona është parë në një restorant në Angli në shoqërinë e dy femrave dhe kishte blerë një çokollatë. Kjo gjë është kapur edhe nga kamerat e restorantit. Kam foto për këtë fakt.
Po hetues të huaj ju kanë dhënë mbështetje për gjetjen e vajzës?
Po, më kanë dhënë. Një herë Bleona është parë në një restorant në Angli në shoqërinë e dy femrave dhe kishte blerë një çokollatë. Kjo gjë është kapur edhe nga kamerat e restorantit. Kam foto për këtë fakt.
Ju i keni parë këto foto, nëse ajo ka qenë Bleona?
Po, i kam parë. Kam parë edhe momentin që vajza ime ka blerë çokollatën me personat e tjerë që e shoqëronin.
Ke njohur ndonjë prej tyre?
Jo. Ato ishin njëra 45 vjeçe, ndërsa tjetra 40 vjeçe dhe një burrë rreth 50 vjeç. Kishin edhe dy vajza të tjera, 14 e 15 vjeçe.
Para sa kohësh është parë Bleona në Angli dhe kush ua ka treguar këto foto?
Është parë para një viti. Fotot mi ka treguar një emigrant shqiptar, që punonte polic sigurie në restorantin ku kishte shkuar Bleona. Ai është me origjinë nga Lezha. Ka shkuar dhe i ka pyetur nëse ishin nga Kukësi dhe Bleona i ishte përgjigjur “po”. Pas kësaj, dy femrat janë ngritur prej aty dhe e kanë larguar Bleonën nga restoranti. Kur e kam marrë vesh këtë gjë, telefonova te Krimet e Rënda dhe iu tregova. Aty me thanë të shihja një herë në rrugë private, më pas t’i telefonoja.
Ju e keni takuar personin që thotë që ka parë Bleonën në Angli?
Patjetër që po. Në momentin që ai ka ardhur në Shqipëri më ka takuar. Kishte kërkuar numrin tim të telefonit, sepse nuk kishte se si të lidhej me mua, por Krimet e Rënda nuk ua kishin dhënë. Numrin ia ka dhënë një prokuror me origjinë nga Shumria dhe punonte në Lezhë. Policia nuk e kishte pritur siç duhej kur ai i kishte treguar informacionin. Këtë gjë ma ka pohuar vetë ky person. Ai është i martuar me një grua nga Anglia dhe ajo i kishte thënë në gjuhë të huaj personave që shoqëronin Bleonën se ky fëmijë është i rrëmbyer. E kishte pyetur edhe për emrin dhe vajza i kishte thënë quhem Bleona, ndërsa dy gratë e kanë rrëmbyer vajzën dhe janë larguar menjëherë prej andej dhe nuk janë parë më në atë lokal.
Pas gjashtë vitesh, cili është apeli juaj si nënë?
Apeli im si nënë është se kush e ka parë dhe kush di diçka për vajzën time, le të vejë dorën në zemër e të më japë një informacion se ku mund ta gjej Bleonën. Kam gjashtë vite që nuk e shoh vajzën me sy. I bëj thirrje shtetit, që është edhe drejtësia jonë, që të merren të pesta vajzat dhe të tregojnë të vërtetën e vendndodhjes së Bleonës.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
