Më parë gjatë ditës është njoftuar se një 60-vjeçar në Vlorë ka ndërruar jetë pasi është rrëzuar nga lartësia e pallatit ku po punonte.

Policia njofton sot se pas përfundimit të veprimeve hetimore janë arrestuar shtetasi M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej dhe A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte pallatin.

Njoftimi i policisë: 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në lagjen “Uji i Ftohtë”, ku dyshohet se aksidentalisht ra nga lartësia e pallatit në të cilin ishte duke punuar, shtetasi A. P., 60 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën, arrestuan shtetasit:

-M. H., 70 vjeç, banues në Vlorë, bashkëpronar i pallatit që po ndërtohej, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente;

-A. K., 53 vjeç, me detyrë administrator dhe drejtues teknik i firmës që po ndërtonte këtë pallat, banues në Vlorë, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb