NGA XHENSILA KODRA*
Policia e Tiranës arrestoi tri ditë më parë një 30-vjeçare, pasi kishte dhunuar vjehrrën e saj. Burime zyrtare nga blutë e kryeqytetit bënë me dije, se në pranga përfundoi shtetasja E. L., banuese në Tiranë. Po të njëjtat burime pohuan se e reja, në banesën e saj në rrugën “Jordan Misja”, ka ushtruar dhunë dhe ka kanosur vjehrrën 73-vjeçare, Drita L.. Menjëherë pas denoncimit të bërë në Komisariatin Nr. 3, uniformat blu bënë të mundur edhe arrestimin e saj, ndërsa për të moshuarën u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Sakaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 73-vjeçarja shprehet se në momentin që është dhunuar nga nusja e djalit të saj ka qenë me urdhër mbrojtjeje.
“Nuk është hera e parë që e kam denoncuar nusen në polici për dhunë. Madje, unë kam qenë me urdhër mbrojtjeje në momentin që ajo më ka rrahur për herë të fundit (3 ditë më parë)”, – pohon e dëmtuara. Sipas kësaj të fundit, 30-vjeçarja, nënë e dy vajzave të vogla, prej vitesh ushtronte dhunë mbi të. “Më ka dhunuar vazhdimisht. Ka rreth 10 vite që më rreh. Që kur ka hyrë nuse në shtëpi, ka vënë dorë mbi mua. Edhe kur i ndjeri bashkëshorti im ishte gjallë, nusja e ka dhunuar”, – thotë Drita L. për “GSH”.
Zonja Drita, nusja e djalit tuaj është arrestuar 3 ditë më parë nga policia e Tiranës, pasi ju e keni denoncuar për dhunë në familje. Si qëndron e vërteta?
Po, unë vetë kam bërë denoncim në polici ndaj nuses së djalit tim. Kjo nuk është hera që parë që e kam denoncuar. Unë kam qenë me urdhër mbrojtjeje edhe herën e fundit që nusja më ka dhunuar. Më ka dhunuar vazhdimisht. Ka rreth 10 vite që më rreh. Që kur ka hyrë nuse në shtëpi, ka vënë dorë mbi mua.
Ju, me kë jetoni në banesë?
Unë jetoj së bashku me djalin tim, nusen e tij dhe dy mbesat e vogla, njëra është 9 vjeçe ndërsa tjetra 2 vjeçe. Një farë kohe ata u larguan për të jetuar me qira dhe më pas u bashkuam sërish në të njëjtën shtëpi, por situata vazhdon të jetë po e njëjta.
Keni pasur konflikte me njëra-tjetrën dhe, sipas jush, cila është arsyeja që nusja ju dhunon?
Jo, nuk kemi pasur konflikte dhe nuk e di as vetë përse më dhunon. Më qëllon për arsye të kota që i di vetëm ajo. Edhe disa vite më parë, kur i ndjeri bashkëshorti im ishte gjallë, ajo ka ushtruar dhunë edhe mbi të. Kam denoncuar edhe më parë në polici. Denoncimin e kam bërë së bashku me bashkëshortin. Ajo zihet pa asnjë shkak me mua, si i thonë një fjale, zihet edhe për një “fije peri”.
Ju pohuat se keni bërë denoncim edhe më parë në polici. Keni pasur urdhër mbrojtjeje?
Po, para se të më dhunonte herën e fundit, unë kam qenë me urdhër mbrojtjeje. Nusja më nxori përjashta në mes të natës, ashtu me rroba siç isha. Akoma e kam këmbën të nxirë nga të rrahurat e saj. Edhe fytin e kam akoma të nxirë, pasi edhe kur isha në polici më ka kapur për fyti. Në shtëpi më qëllonte me çfarë t’i kapte dora.
Po djali juaj, ju ka mbështetur në momentin që bashkëshortja e tij ju ka dhunuar?
Djali ka rënë në hall për vete, pasi nuk di kujt t’ia prishi e kujt t’ia ndreqi. Besoj se ai e kupton edhe vetë që nusja e tij është pak agresive, pasi nuk është e arsyeshme që të dhunosh një plakë e ta nxjerrësh atë përjashta bashkë me rroba.
Si reaguat në momentin kur policia vuri në pranga nusen tuaj?
Pavarësisht këtyre që kanë ndodhur, unë si nënë që jam, sapo policia erdhi në shtëpi dhe e arrestoi, shkova sërish në komisariat dhe e tërhoqa denoncimin që kisha bërë. Nuk doja që ajo të arrestohej, por në polici shkova thjesht që të mbrohesha prej saj. Ajo ka dy fëmijë të vegjël dhe nuk ua dua të keqen. Unë kërkoj vetëm një mbrojtje që ajo të mos më dhunojë më asnjëherë.
Nëse nusja juaj lihet e lirë, mendoni se kjo lloj situate mund të përsëritet dhe ju mund të bini sërish pre e dhunës?
Frikë kam shumë, pasi ajo është shumë agresive. Por, nëse nuk vë më dorë mbi mua, unë atëherë ia kam falur të gjitha, sepse mbi të gjitha jam edhe unë nënë.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
