Deputetja socialiste, ish-ministre e Jashtme Elisa Spiropali përkujton përvjetorin e 77-të të NATO-s, duke theksuar se kjo aleancë u ndërtua mbi idenë se siguria e përbashkët është garancia më e fortë për paqen.
Spiropali thekson se kjo aleancë u ndërtua mbi një ide të thjeshtë, por thelbësore – Siguria e përbashkët është garancia më e fortë për paqen.
Ajo vë në dukje se në një moment të ndërlikuar për rendin ndërkombëtar, me luftën në Ukrainë që sfidon qëndrueshmërinë e Aleancës dhe zhvillime dramatike në Lindjen e Mesme që rrisin pasigurinë globale, rëndësia e NATO-s bëhet edhe më e dukshme.
Spiropali nënvizon se NATO nuk është thjesht një strukturë sigurie, por një angazhim i përbashkët për stabilitet dhe bashkëpunim, si një komunitet vlerash që mbështet besimin në forcën e shoqërive demokratike. Sipas saj, për Shqipërinë, aleanca mbetet themel i sigurisë dhe orientimit strategjik, ndërsa fakti që vendi do të presë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s përbën jo vetëm një nder, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar në forcimin e unitetit dhe bashkëpunimit mes partnerëve.
Deputetja Spiropali thekson se forca e aleancave nuk matet vetëm me kapacitete ushtarake, por edhe me qëndrueshmërinë dhe besimin që ndërtohet mes partnerëve gjatë kohës.
“77 vite më pas, NATO vazhdon të jetë po aq e rëndësishme sa në fillimet e saj, dhe sfida kryesore është të ruhet kohezioni, të thellohet bashkëpunimi dhe të riafirmohet angazhimi i përbashkët për paqen dhe sigurinë e Europës”, shkruan ajo.
Më poshtë postimi i plotë.
77 vite NATO: Qëndrueshmëri në një kohë të ndërlikuar
Ka përvjetorë që nuk janë vetëm data në kalendar. Janë kujtesë e një premtimi që i ka dhënë formë sigurisë sonë dhe kuptim Aleancës mes kombeve që ndajnë të njëjtat vlera.
77 vite më parë, NATO u ndërtua mbi një ide të thjeshtë, por thelbësore: siguria e përbashkët është garancia më e fortë për paqen.
Sot, ky përvjetor na gjen në një moment sfidues për rendin ndërkombëtar. Lufta në Ukrainë vazhdon të testojë qëndrueshmërinë e Aleancës, zhvillimet dramatike në Lindjen e Mesme shtojnë pasiguritë globale, ndërsa debatet mbi rolin dhe përgjegjësitë brenda NATO-s reflektojnë kompleksitetin e kohës sonë.
Por pikërisht në këto momente, rëndësia e Aleancës bëhet edhe më e qartë.
NATO nuk është thjesht një strukturë sigurie. Është angazhim i përbashkët për stabilitet dhe bashkëpunim, si një komunitet vlerash që mbështet vet besimin në forcën e shoqërive demokratike.
Për vende si Shqipëria, kjo aleancë mbetet themel i sigurisë dhe orientimit strategjik. Fakti që vitin e ardhshëm Shqipëria do të presë Samitin e NATO-s është një nder, por mbi të gjitha një përgjegjësi për të kontribuar në forcimin e këtij uniteti.
Në këto vite, përvoja të kujton se forca e aleancave nuk matet vetëm me kapacitete, por me qëndrueshmërinë që ndërtohet mes partnerëve.
77 vite më pas, NATO mbetet po aq e rëndësishme sa në fillimet e saj. Sfida jonë sot është të ruajmë kohezionin, të thellojmë bashkëpunimin dhe të riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për paqen dhe sigurinë.
Aleancat nuk mbahen vetëm nga interesat, por, sidomos, nga besimi i ndërsjellë që ndërtohet me kohë, dhe se siguria e Europës mbetet prova më e madhe e këtij besimi sot.
