Kupa e Botës 2026 nuk do të jetë vetëm turneu i talenteve të reja, por edhe skena ku disa prej legjendave më të mëdha të futbollit vazhdojnë të sfidojnë kohën.

Mes 48 kombëtareve pjesëmarrëse, plot tetë futbollistë do të zbresin në fushë në moshën 40-vjeçare ose më shumë, duke konfirmuar se përvoja mbetet një armë e rëndësishme edhe në nivelin më të lartë të futbollit botëror.

Në krye të kësaj liste të veçantë qëndron portieri skocez Craig Gordon, i cili në moshën 43-vjeçare do të jetë lojtari më i vjetër i turneut. Pas tij renditet ylli portugez Cristiano Ronaldo, që në moshën 41-vjeçare vazhdon të jetë pika e referimit për Portugalinë.

Lista e veteranëve përfshin edhe emra të njohur si Guillermo Ochoa i Meksikës, kapiteni kroat Luka Modrić, bomberi boshnjak Edin Džeko dhe portieri gjerman Manuel Neuer, të gjithë 40 vjeç dhe ende protagonistë në arenën ndërkombëtare.

Mes futbollistëve më me përvojë spikasin gjithashtu Vozinha i Kepit të Gjelbër, Fernando Muslera i Uruguait dhe mbrojtësi japonez Yuto Nagatomo.

Natyrisht, vëmendje të veçantë tërheq edhe Lionel Messi. Edhe pse më i ri se pjesa më e madhe e kësaj liste, me 38 vjeç, kampioni i botës me Argjentinën mbetet një nga figurat më të rëndësishme të turneut.

Botërori i vitit 2026 pritet të sjellë spektakël dhe emocione, por historia e këtyre veteranëve dëshmon se mosha është vetëm një numër. Në një epokë ku karrierat sportive zgjasin gjithnjë e më shumë, legjenda si Ronaldo, Modrić, Neuer dhe Messi vazhdojnë të shkruajnë historinë dhe të frymëzojnë brezat e rinj në skenën më të madhe të futbollit botëror.

Lojtarët më të vjetër në Kupën e Botës 2026:

1.Craig Gordon (43 vjeç) – Skoci, portier, 84 ndeshje me kombëtaren.
2.Cristiano Ronaldo (41 vjeç) – Portugali, sulmues, 226 ndeshje dhe 143 gola.
3.Guillermo Ochoa (40 vjeç) – Meksikë, portier, 153 ndeshje.
4.Luka Modrić (40 vjeç) – Kroaci, mesfushor, 197 ndeshje dhe 28 gola.
5.Edin Džeko (40 vjeç) – Bosnje dhe Hercegovinë, sulmues, 148 ndeshje dhe 73 gola.
6.Manuel Neuer (40 vjeç) – Gjermani, portier, 124 ndeshje.
7.Vozinha (40 vjeç) – Kepi i Gjelbër, portier, 88 ndeshje.
8.Fernando Muslera (39 vjeç, mbush 40 më 16 qershor) – Uruguai, 134 ndeshje.
9.Yuto Nagatomo (39 vjeç) – Japoni, mbrojtës, 145 ndeshje dhe 4 gola.
10.Lionel Messi (38 vjeç) – Argjentinë, sulmues, 199 ndeshje dhe 117 gola

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb