Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në Ditën e 8 Marsit ka zhvilluar një takim me gra dhe vajza. Gjatë fjalës së tij Blushi është shprehur se gruaja është shtylla kryesore e familjes dhe një model frymëzimi. Gjithashtu ai akuzon mazhorancën sa ka bërë një sulm të paprecedent ndaj figurës së gruas.
Më tej Blushi shtoi se ligji i miratuar nga mazhoranca socialiste kërcënon familjen dhe rolin e grave në shoqëri.
Ndërkohë zv/presidentja e kësaj force politike, Erisa Xhixho denoncoi rastin e deputetes Albana Vokshi në Parlament.
Fjala e plotë:
Të dashura zonja dhe zonjusha,
Të nderuara anëtare të Forumit të Gruas së Partisë së Lirisë,
Në këtë ditë të veçantë, në prag të 7–8 Marsit, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju përshëndes dhe t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë për rolin tuaj të jashtëzakonshëm në familje, në shoqëri dhe në jetën publike të vendit.
8 Marsi nuk është vetëm një ditë simbolike për të dhuruar lule apo për të shkëmbyer urime. Është një ditë reflektimi për sakrificat, përpjekjet dhe kontributin e grave shqiptare, të cilat në çdo periudhë kanë qenë shtylla e familjes dhe forca më e madhe e shoqërisë sonë. Gruaja shqiptare ka qenë gjithmonë simbol i dinjitetit, i përkushtimit dhe i qëndresës.
Por fatkeqësisht, sot në Shqipëri gratë dhe vajzat nuk përballen vetëm me vështirësitë ekonomike dhe sociale që ka krijuar kjo qeveri. Ato përballen edhe me një klimë arrogante dhe përçmuese në politikë, e cila shpesh shfaqet hapur në institucionet më të larta të vendit.
Një shembull i papranueshëm dhe i dënueshëm ishte sulmi verbal që iu bë në Kuvend deputetes Albana Vokshi nga Taulant Balla. Një gjuhë e tillë, një arrogancë e tillë dhe një mungesë e tillë respekti ndaj një gruaje dhe deputeteje të Kuvendit të Shqipërisë tregon qartë se sa pak e respekton kjo qeveri dinjitetin e grave dhe vajzave shqiptare. Kur një përfaqësuese e zgjedhur e popullit trajtohet me fyerje dhe arrogancë në parlament, imagjinoni se çfarë mesazhi u jepet grave dhe vajzave në gjithë shoqërinë.
Partia e Lirisë beson se respekti për gruan nuk është slogan dhe as propagandë. Respekti për gruan fillon nga familja, nga vlerat, nga edukimi dhe nga politikat që mbrojnë rolin e saj në shoqëri.
Pikërisht për këtë arsye ne kemi kundërshtuar dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë ligje dhe iniciativa që, në emër të një barazie të deformuar gjinore, rrezikojnë të cenojnë vlerat themelore të familjes shqiptare. Shqipëria ka nevojë për politika që fuqizojnë gruan, që e mbështesin atë si nënë, si profesioniste, si qytetare aktive, por pa shkatërruar identitetin dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë.
Ne besojmë në një shoqëri ku gratë dhe burrat kanë të drejta të barabarta, por edhe respekt të ndërsjellë, ku gruaja nuk përdoret si dekor politik, por vlerësohet për kontributin dhe integritetin e saj.
Ne kemi modele të shkëlqyera dhe frymëzuese të grave dhe vajzave në Lëvizjen e Gruas për Integrim, që janë jo vetëm aseti ynë por edhe aset për të ardhmen e Shqipërisë.
Ne kemi modele të shkëlqyera të vajzave të mirëarsimuara të cilat luftojnë për të drejtat e grave, për fuqizimin e familjes dhe gjithë kohës janë në bashkëpunim me shoqërinë civile, i dëgjojnë gratë dhe vajzat dhe ndërmarrin iniciativa për të reflektuar dhe për të mbrojtur interesat e tyre.
Ne si forcë politike jemi krenarë që sot, përballë një modeli të papranueshëm si ish-zëvendëskryeminisrja në qeveri, kemi modele të shkëlqyera në Partinë tonë, kemi Zv. Presidenten Erisa Xhixho, kemi Kryetaren e Forumit të Gruas, Znj. Myrvete Asqeri, kemi Sekretaren për Mardhëniet me Publikun Arla Merja, kemi Kryetaren e Forumit Rinor Anisa Ibraj, zysh Mirandën një aktiviste e palodhur ish-kryetare bashkie, e kudondodhur në çdo protestë dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të rolit të grave, kemi Kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë Znj. Florida Ymeri, kemi Silvana Bajramin Kryetaren e Komisionit të Bujqësisë e plot e plot zonja dhe gra të nderuara, të cilat janë modele të shkëlqyera, janë një aset jo vetëm për partinë tonë, por janë një aset dhe vlerë për të gjithë Shqipërinë.
MBËSHTETJE E GRUAS DHE FAMILJEVE TË REJA
Mbështetja e gruas dhe familjes është kauzë madhore e Partisë së Lirisë dhe e programit dhe platformës tonë qeveriswse 5 prioritete për 4 milion shqiptarë plus.
Fuqizimi Ekonomik dhe Social i Gruas nëpërmjet programit “arsim për punësim”, në mënyrë që gratë të fuqizohen ekonomikisht, veçanërisht, gratë dhe vajzat që u përkasin shtresave më në nevojë të popullsisë.
“Strategjia për Gruan Sipërmarrëse”, një pakete masash stimuluese financiare dhe fiskale për arsimimin, kualifikimin, trajnimin, zhvillimin dhe promovimin e iniciativës private për vajzat dhe gratë.
Intensifikimin e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, kryesisht dhunës në familje, në ambientin publik dhe në vendin e punës.
Mbështetja e grave kryefamiljare me politika më sociale, duke evituar pengesat burokratike në mbështetjen sociale të tyre, si dhe duke i bërë pjesë të programeve të fuqizimit ekonomik.
Mbështetja e familjeve të reja me mekanizma të ndryshëm financiare si kredi të buta (dhe mekanizma të tjerë) për strehim.
Rritje progresive pagesave për fëmijën e dytë e të tretë.
Garantimi i aksesit dhe fuqizimi i grave dhe vajzave për të marrë pjesë në të gjitha proceset vendimmarrëse, në nivel qendror dhe lokal.
Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus janë “ilaçi” që ndalin shpopullimin, mbrojnë Familjen dhe Kombin!
Të dashura zonja,
Roli juaj në Partinë e Lirisë është i pazëvendësueshëm. Ju jeni zëri i shumë grave shqiptare që kërkojnë dinjitet, drejtësi, siguri ekonomike dhe një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.
Ju e keni dëshmuar se jeni një fuqi nukleare dhe jam i bindur se përmes bashkimit, zgjerimit dhe hapjes së pandalshme të Forumit të Gruas, zëri juaj dhe i të gjitha grave shqiptare do të dëgjohet edhe më fort.
Në këtë 7–8 Mars, ju uroj nga zemra shëndet, forcë dhe suksese në çdo angazhim tuajin. Le të vazhdojmë së bashku betejën për një Shqipëri më të drejtë, ku gruaja respektohet, vlerësohet dhe ka vendin që meriton në shoqëri.
Gëzuar 7–8 Marsin!
