Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me UN Women, ndërmori nismën ‘Observatori i Femicidit’. E para në llojin e saj, kjo nismë do të mbledhë dhe analizojë të dhëna, me qëllim përmirësimin e politikave dhe mekanizmave për parandalimin e vrasjes të grave dhe vajzave.

“Nëse nuk mbledhim të dhëna të sakta dhe të krahasueshme për një krim të caktuar, nuk do të jemi në gjendje ta kuptojmë atë plotësisht apo të dimë se si ta parandalojmë”, theksoi Erinda Ballanca, “Unë besoj se ne duhet të ndërmarrim së bashku një iniciativë, së pari për të garantuar përkufizimin e “femicidit” si një vepër penale, identifikimin e përkufizimit të qartë dhe përfshirjen e tij në Kodin e ri Penal dhe unë për këtë kam garancinë e grupit të punës së Kodit Penal që një gjë e tillë do të realizohet. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi të qartë se vetëm duke mbledhur të dhëna të sakta dhe të krahasueshme për një krim të caktuar, do të jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht shkaqet dhe arsyet pse ka ndodhur, si ka ndodhur dhe çfarë mund të bëjmë më mirë. Dhe pikërisht Obesvatori që ne me ndihmën e partnerit tonë shumë të rëndësishëm UN WOMEN po e vëmë ne jetë dhe në zbatim. Ka qenë një ide e cila prej një viti është diskutuar me ta, sepse krijimi i observatorëve të femicidit nëpër vende të tjera të të gjithë arenës së Kombeve të Bashkuara por edhe në disa vende të Këshillit të Evropës ka qënë një shtysë përpara për identikfimimin e problematikave por edhe për adresimin e këtyre problematikave.”

I përkufizuar si vrasje me dashje për shkak të gjinisë, femicidi mund të nxitet nga rolet gjinore të stereotipizuara, diskriminimi ndaj grave dhe vajzave, marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit ndërmjet grave dhe burrave ose dhe nga normat shoqërore të dëmshme.
Gjatë 13 viteve të fundit, 159 gra dhe vajza janë vrarë nga burrat në Shqipëri, kryesisht nga anëtarë të familjes.

Në nivel botëror, sipas UN Women dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), rreth 89,000 gra dhe vajza janë vrarë qëllimisht gjatë vitit 2022. Rreth 48,800 gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre ose anëtarë të tjerë të familjes. Kjo do të thotë se mesatarisht cdo ditë, më shume se 133 gra dhe vajza janë vrarë nga të afërmit e tyre.

“Femicidi përfaqëson një dështim madhor të shoqërisë. Duhet ta ndalojmë! Krijimi i Observatorit të Femicidit është një kontribut praktik për të siguruar se masat mbrojtëse ekzistuese dhe përpjekjet parandaluese do të jenë plotësisht të efektshme”, u shpreh Michele Ribotta, Përfaqësues i UN Women në Shqipëri.

‘Observatori i Femicidit’ do të bashkëpunojë me aktorët e përfshirë, që luajnë rol në mbledhjen dhe analizimin e të dhënave rreth femicidit në Shqipëri. Të dhënat do të mblidhen dhe analizohen në përputhje me Kuadrin Statistikor të miratuar nga Kombet e Bashkuara. Kjo nismë është ndërmarrë në bashkëpunim me UN Women, si pjesë e Programit të Përbashkët të OKB-së “Fund dhunës ndaj grave në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Suedisë.

Reporteri Special i Kombeve të Bashkuara për dhunën ndaj grave u ka bërë thirrje shteteve palë që të ngrenë mekanizma për mundësimin e të dhënave vjetore dhe analizave rreth rasteve të femicidit. Ngritja e Observatorit të Femicidit është pjesë e përgjigjes së Shqipërisë ndaj kësaj thirrjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: