Nisi fillimisht si një revoltë për kërkimin e të drejtës së votës në vitet 1908-1909 në Nju Jork, për t’u pasuar më tej me greva disaditore për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, sot 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave kremtohet në forma të ndryshme. Vajza që hasin vështirësi për t’u integruar në shoqëri, gra që përballen me vështirësi në familje, vajza e gra që ngrihen mbi të keqen dhe ndërtojnë një të ardhme të sigurt për veten dhe familjen.

Një vëshirësi në të ecur, problem shëndetësor i lindur u shndërrua në sfidën më të madhe të jetës për Erta Sinamatin, vajzën nga Kukësi, e cila është diplomuar për Menaxhim Biznesi. Ajo rrëfen se vështirësia më e madhe ka qenë pranimi, fillimisht nga shoqëria në shkollë, mandej ngërçi disavjeçar për t’u punësuar.

Pavarësisht dyerve të shumta që iu mbyllën, Erta Sinamati arriti të diplomohej me rezultate të larta dhe të punësohej në punën që dëshironte. Këtë 8 Mars ajo përcjell një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë.

Punoi për 15 vite në emigrim së bashku me bashkëshortin dhe u rikthyen në vendlindje për të hapur një biznes, 50-vjeçarja Enkelejda Gojka rrëfen se fati i ngriu buzëqeshjen. Pak kohë pasi hapën një kafene në Berat, bashkëshorti i Enkelejdës ndërroi jetë, duke lënë pas edhe një fëmijë. 50-vjeçares iu desh një sakrificë e madhe, për të shpëtuar biznesin nga falimentimi, pasi përmes tij siguronte të ardhurat për familjen.

Përballë kësaj fatkeqësie, 50-vjeçarja nuk është e vetme. Ajo tregon se djali i saj, ndonëse adoleshent iu bë mbështetja më e madhe. Gjithashtu, Enkelejda nuk harron të falenderojë një miken e saj që i ka qëndruar pranë përgjatë kësaj periudhe.

Ndonëse është 72 vjeçe, Sofie Hashimin nga Cangonji i Devollit e gjejnë, duke punuar në arë. Me krenari ajo thotë se puna i ka krijuar pavarësi ekonomike, duke ndarë kështu një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë.

Desdemona Paskali prej 40 vitesh punon në tezgjah, dikur një pasion, sot punë jetike për të. Në Gjirokastër ajo është shndërruar në frymëzim për shumë vajza dhe gra të tjera, pasi mban e vetme qendrën e artizanatit, biznesin e saj.

Bashkë me këto personazhe që dhimbjen e kthyen në ngadhënjim, që përmes punës së tyre frymëzojnë, News24 dhe urojnë të gjitha vajzat dhe gratë, Gëzuar 8 Marsin!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb