Muajt që lamë pas rezultuan fatale për disa punonjës, të cilët ndërruan jetë në krye të detyrës, ndërsa u shoqëruan në polici drejtuesit teknikë të punimeve.
Më 12 shtator gjeti vdekjen elektricisti i OSHEE-së Klajdi Zekthi, i cili gjatë kryerjes së punimeve për riparimin e linjës elektrike ne Belsh ra në kontakt me elektricitetin.
Më 11 shtator një elektricist në fshatin Marglliç të Patosit ra në kontakt me rrymën elektrike, teksa montonte një shtyllë tensioni. Viktimë e këtij incidenti në punë mbeti 46-vjeçari Ernal Dëbrova.
Më 8 shtator 4 punonjës të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me elektricitetin. Për pasojë njëri prej tyre Muhamet Sylisufaj ndërroi jetë në vendngjarje, kurse 3 të tjerët Albert Dunisha, Ilir Dautaj dhe Afrim Aliaj u plagosën rëndë. Incidenti tragjik ndodhi teksa 4 punëtorët e Bashkisë Tropojë po punonin për transportimin e një shtylle ndriçimi për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të tyre në rrugën e Dobrovës në fshatin Bujan.
Më 29 gusht dy persona në Vaun e Dejës ranë në kontakt me elektricitetin teksa ishin brenda një lokali. Viktimë mbetën 40-vjeçari Sokol Preka dhe 46-vjeçari David Deda, elektricist.
Më 26 korrik një elektricist humbi jetën në fshatin Gështenjas të Pogradecit, teksa ishte duke punuar për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik. 57-vjeçari Agim Beqiri ra në kontakt me rrymën teksa po punonte për riparimin e një defekti në një shtyllë.
Më 22 korrik ra në kontakt me rrymën elektrike elektricisti 54-vjeçar Bashkim Boçi që po punonte në Potam të Himarës për rikthimin e energjisë elektrike, pas një defekti që kishte ndodhur.
Më 8 maj në Rrëshen ndërroi jetë një elektricist 37-vjeçar, gjatë punës në një shtyllë elektrike, ndërsa u plagosën edhe dy të tjerë 60 dhe 58 vjeç.
Ky bilanc ngre alarmin për sigurinë në vendin e punës, veçanërisht për punonjësit që operojnë në sektorin energjetik. Rastet tragjike kanë sjellë humbje jetësh dhe plagosje, ndërsa hetimet duhet të përcaktojnë nëse janë respektuar rregullat e sigurisë dhe nëse përgjegjësit kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar këto ngjarje.
