Përgatitjeve për përkujtimin e 80 vjetorit të Fitores në Luftën e dytë Botërore në Kinë, tanimë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa Pekini po bëhet epiqendra e një sërë zhvillimesh politike, ushtarake dhe diplomatike me peshë globale.
Ngjarja madhështore, që pritet të zhvillohet më 3 shtator në sheshin Tian’anmen, do të shoqërohet me paradë ushtarake, pritje shtetërore, gala përkujtimore dhe pjesëmarrje të disa prej liderëve më të diskutuar në arenën ndërkombëtare.
Burime zyrtare konfirmojnë se Kina do të shfaqë pajisje të avancuara ushtarake, përfshirë teknologji të reja hipersonike dhe sisteme të inteligjencës artificiale të aplikuara në mbrojtje.
Kjo paradë nuk është thjesht një kujtesë historike, por nga ana tjetër gjithashtu përfaqëson një provë force.
Në mesin e të ftuarve më të komentuar janë presidenti rus Vladimir Putin, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, si dhe presidenti i Kubës Miguel Díaz-Canel, por Pekini ka ftuar gjithashtu 26 udhëheqës shtetërorë, shumica nga Azia, Afrika dhe Evropa Lindore – vende që e shohin Kinën si një partner alternativ.
Pekini po përpiqet të përçojë një narrativë alternative të historisë dhe diplomacisë: një rend shumëpolar i bazuar në “respektin e ndërsjellë dhe zhvillimin e përbashkët”, siç deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hong Lei.
Presidenti Xi Jinping, i cili do të jetë folësi kryesor në paradë dhe në pritjen e organizuar më pas, pritet të artikulojë një vizion të Kinës si mbrojtëse e paqes globale, i cili deri më tani, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderët e mëdhenj ndërkombëtarë, në përgatitje për dy ngjarje të mëdha njëherësh: samitin e Organizatës për Bashkëpunim Shangai (SCO) dhe paradën ushtarake në Pekin për përvjetorin e 80‑të të fitores mbi Japoninë dhe nazifashizmin.
80-vjetori i Fitores nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës – është një projektim i së ardhmes. Kina po vendos gurët në tabelën globale jo vetëm me fjalë, por edhe me aleanca, teknologji dhe simbolikë.
(BalkanWeb)
