Një ekip ndërkombëtar ekspertësh nga Kolumbia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe SHBA-ja i është bashkuar specialistëve irlandezë për të nisur zyrtarisht gërmimet në një varr masiv pranë ish-shtëpisë për Nëna dhe Foshnje në Tuam, County Galway.
Sipas Reuters, pritet që puna të zgjasë rreth dy vjet dhe synon të identifikojë mbetjet mortore të 796 fëmijëve që besohet se kanë vdekur mes viteve 1925 dhe 1961 në institucionin e drejtuar dikur nga murgeshat katolike të urdhrit Bon Secours.
Gërmimet po kryhen nga Zyra e Drejtorit të Ndërhyrjes së Autorizuar (ODAIT) dhe përfshijnë procesin e zhvarrimit, analizës, identifikimit nëse është e mundur, dhe rivarrimit të eshtrave.
Skandali doli në dritë falë punës këmbëngulëse të historianes lokale Catherine Corless, e cila në vitin 2014 publikoi të dhëna që tregonin se fëmijët ishin varrosur në mënyrë të padenjë, në një sistem të braktisur kanalizimi.
Ajo zbuloi certifikatat e vdekjes për 796 fëmijë, ndërkohë që nuk ekzistonte asnjë regjistër varrimi për ta.
Shtëpia e Shën Marisë në Tuam ishte një nga shumë institucione ku dërgoheshin gra të reja shtatzëna, shpesh pa dëshirën e tyre, për shkak të turpit që shoqëria e kohës e udhëhequr nga mësimet strikte të Kishës Katolike i vinte shtatzënive jashtë martese.
Gratë lindnin atje dhe më pas ndaheshin nga foshnjat e tyre, të cilat shpesh jepeshin për birësim, përfshirë edhe jashtë shtetit.
Në vitin 2021, Qeveria Irlandeze ofroi një falje zyrtare shtetërore, pasi një hetim i gjerë tregoi se mbi 9,000 fëmijë kishin vdekur në 18 institucione të tilla në mbarë vendin.
Urdhri i murgeshave Bon Secours gjithashtu pranoi gabimet e së kaluarës dhe kërkoi “falje të thellë” për dështimin në mbrojtjen e dinjitetit të grave dhe fëmijëve që jetuan nën kujdesin e tyre.
Procesi i gërmimit dhe analizës që po fillon tani, shpresohet të çojë në identifikimin e viktimave dhe më pas rivarrimin e tyre me dinjitet. Ky është një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë historike dhe rikthimit të zërit për ata që nuk patën mundësinë të dëgjoheshin.
(BalkanWeb)
