Reforma Territoriale, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, ka marrë 85 vota në Kuvend. Në seancë, deputetët Erion Braçe dhe Elisa Spiropali votuan në linjë me mazhorancën, duke mos shfaqur dallime nga qëndrimi i grupit parlamentar, edhe pse më herët kishin shprehur kundërshti për draftin. Ndërkohë, në Kuvend u shfaq edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, pas disa javësh mungesë. Ajo u prit me protesta nga demokratët të cilët hodhën drejt saj ujë dhe sende të forta, madje nuk kursyen as kryeministrin Edi Rama.

Prania e Ballukut në seancë logjikisht i shërbeu llogarive të mazhorancës dhe për ruajtjen e shumicës së cilësuar. Ajo është nën hetim nga SPAK për akuza korrupsioni dhe pastrimi parash. Prej disa javësh nuk merr pjesë në seancat e Kuvendit, por sot mbërriti në sallën e Parlamentit pikërisht në momentin e votimit.

Vetë grupi parlamentar i PS-së numëron 82 mandate, ndërsa tri mandatet e PSD-së plotësuan shumicën e cilësuar, duke e çuar numrin e votave pro në 85.

Reforma Territoriale synon riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore, duke e çuar numrin e bashkive nga 61 në 46. Ky ndryshim do të dominojë debatin politik për mënyrën e organizimit të pushtetit vendor, përfaqësimin e komuniteteve dhe funksionimin e bashkive. Vlen të theksohet se banorët e bashkive të cilat preken e kanë kundërshtuar nismën e mazhorancës.

Në këtë kontekst, 85 votat në favor të reformës bëhen pjesë e llogarive politike të Kryeministrit Edi Rama, kjo në funksion të ruajtjes së mazhorancës së cilësuar në Parlament. Mobilizimi i kryeministrit për të kapur 85 vota tregon frikën e tij nga një rrjedhje e mundshme, gjë e cila nuk ndodhi.

Votimi

Kuvendi miraton projektligjin për ndarjen e re administrative. Mazhoranca arriti të bëjë shumicën e cilësuar, madje duke tejkaluar 84 votat. 85 vota pro shkuan për Reformën Territoriale. Edhe pse paralajmëruan qëndrimin e tyre kundër, socialistët Erion Braçe dhe Elisa Spiropali rezulton të kenë votuar pro. Në sallën e Kuvendit mbërriti edhe kryeministri Edi Rama e ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku e cila mungonte prej disa seancash.

Në Kuvend ishin të pranishëm 116 deputetë.

Në votimin në parim, projektligji u miratua me 84 vota pro.

Votimi u krye në momente kaosi dhe tensionesh, teksa deputetët e PD u revoltuan duke hedhur sende të forta drejt kryeministrit Edi Rama, i cili mbërriti në sallën e Kuvendit pak çaste para se të niste votimi. Por irritimin e demokratëve e ndezi edhe më shumë prania në sallën e Kuvendit e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi iu drejtua Ballukut me fjalët; “Dil jashtë ti e korruptuar. Shko në burg”.

Sipas draftit të Reformës së re Territoriale, numri i bashkive në Shqipëri reduktohet në 46 nga 61. 15 bashki shkrihen ose bashkohen me bashkitë e tjera.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb