NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Varfëria në kufijtë e të paimagjinueshmes na çoi kësaj here tek një tjetër “dramë” sociale me të cilën përballen dhjetëra familje në fshatrat e Pukës. Historia njerëzore e Dila Tomës në fshatin Pla të Pukës ngjan e frikshme teksa 86-vjeçarja që vuan nga shumë sëmundje rrëfen jetën e saj mes vetmisë, varfërisë dhe frikës, se banesa në të shembur do ta zërë brenda.
Pamjet e frikshme i përkasin realitetit me të cilin përballet kjo e moshuar e cila teksa flet kujton historitë e mjerimit të dikurshëm duke harruar se fatkeqësisht ky është një realitet i vitit 2016.
Vetmia mbytëse, sëmundjet që nuk i ndahen tashmë për shkak dhe të moshës duket se po shuajnë këtë “simbol” të mbijetesës në malet e veriut shqiptar.
“Jetoj e vetme, kështu siç më gjetët vetë. Shtëpia po shembet e gjitha, nuk fle gjithë natën nga frika se do më zërë brenda. Kur shembet ndonjë gur tmerrohem se mendoj dikush më ka hyrë brenda, gjithë natën përlotem nga frika. Jetoj me zemër të thyer dhe uroj që mos të kaloj askush atë çfarë po kaloj unë”, shprehet e moshuara.
Nënë Dila shpreson që ne do rikthehemi sërish jo më për të dëgjuar mjerimin që fati ja solli ta kalonte për gjithë jetën, por për t’i ndryshuar disi gjendjen përmes një ndihme modeste që do e shmangte atë disi nga rreziku.
(m.k/BalkanWeb)
